Aksioni opozitar kundër drogës

13/05/2014 00:00

Demokratët kanë munguar në punimet e zakonshme të komisioneve parlamentare. Sipas një vendimi politik, ata do të refuzojnë të bëhen pjesë e diskutimeve të projektligjeve dhe marrëveshjeve përderisa të sqarohet çështja e trafikut të drogës.

Kjo nuk do të thotë se opozita do të braktisë Parlamentin. Përkundrazi, Partia Demokratike ka dorëzuar një kërkesë në Kuvend, ku i kërkon mazhorancës të heqë dorë nga çdo pikë e rendit të ditës të enjten, duke e shndërruar mbledhjen e përjavshme të Parlamentit në një seance të jashtëzakonshme.

“Ne kërkojmë së pari, thirrjen e Kuvendit në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare, ku të diskutohet mbi ngjarjen e Divjakës dhe trafikun e drogës në rrugë ajrore, me ndihmën e alibisë shtetërore “të mushkonjave”. Së dyti, përfshirjen e kësaj çështjeje në rend dite, duke qenë e vetmja çështje që diskutohet apo shqyrtohet në seancë plenare”, deklaroi kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka.

Demokratët janë shumë larg votave të duhura për ndryshimin e rendit të ditës së Kuvendit, vota që në fakt i ka mazhoranca, mbi 3/5-at që kërkon rregullorja. Megjithatë, në kërkesën drejtuar kryeparlamentarit Meta demokratët duken të vendosur të mos lejojnë asgjë tjetër të enjten, përveç çështjes së trafikut të drogës.

“Se çdo tentativë për të bllokuar këtë seancë plenare të jashtëzakonshme, apo për të mos pranuar këtë kërkesë legjitime të opozitës, si zëri i vetëm i mbrojtjes së interesit publik, është e papranueshme për opozitën dhe vetë opinionin publik”, paralajmëroi Paloka.

Nga ana tjetër, që herët paradite në selinë e Partisë Demokratike kryetari i saj Lulzim Basha zhvilloi takime me përfaqësues të opozitës në pushtetin lokal, me përfaqësues të shoqërisë civile, me koordinatorët dhe me deputetët demokratë në funksion të organizimit të protestës së të enjtes përpara Parlamentit. Një protestë që ka për lejtmotiv të saj kërkesën e opozitës për dorëheqjen e kryeministrit.

“Largimi i Edi Ramës si kryeministër i vendit, si njeriu përgjegjës për fshehjen dhe mbulimin e fakteve tronditëse për trafikun e drogës me suport dhe mbështetje qeveritare, është dhe mbetet kërkesë ultimative e opozitës dhe besoj e jam i bindur është edhe i opinionit publik shqiptar, që nuk mund ta pranojë kthimin e Shqipërisë në një kartel të drogës. Shqipëria drejt Europës, jo drejt Kolumbisë”, deklaroi Basha.

Berisha akuzon ushtarakët e lartë

“Përdorën NATO-n për të mashtruar shqiptarët për sigurinë e qiejve”

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi qeverinë se qëndron në krye të trafikut të drogës, që sipas tij, ka marrë përmasa alarmante në vend.

Në një bashkëbisedim me gazetarët duke marrë shkas nga ngjarja e Divjakës, ish-kryeministri vuri në shënjestër drejtuesit e Forcave të Armatosura të Ushtrisë kur deklaroi se përdorën NATO-n për të gënjyer shqiptarët se hapësira ajrore e vendit është e sigurt.

“Gjeneral Lleshi, zëdhënësi i Edi Ramës për ushtrinë  dhe Gjeneral Baze, vartësi i bindur i Lleshit, shkuan deri aty sa të mashtrojnë shqiptarët se NATO na ka garantuar se nuk ka aeroplan renegat. Ky është një mashtrim shumë i madh. Aleanca Atlantike e Veriut garanton qiellin shqiptar në lartësinë mbi 3 mijë metra. Në lartësinë nën 3 mijë metra për avionë renegatë vendi është i detyruar të mbrohet vetë”, tha Berisha. 

Berisha ftoi Presidentin e Republikës të mbajë qëndrim ndaj dy ushtarakëve, ndërsa deklaroi se trafiku i drogës është sot një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare dhe integrimin e vendit.

Ish-kryeministri ftoi të gjithë qytetarët të protestojnë të enjten, ndërsa shprehu vendosmërinë e opozitës për të përdorur të gjitha mjetet demokratike për largimin e qeverisë.

Top Channel