
Gjithcka ashtu sic ishte parashikuar. Në provat zyrtare për garën e Cmimit të Madh të Spanjës, në Montmelo në Barcelonë, Mercedes ka dominuar duke zënë vendin e parë me Lewis Hamilton dhe të dytin me Nico Rosberg.
Fundi i raundit të tretë të provave ishte një sfidë brenda llojit. Dy makinat Mercedes ndodheshin ende në pistë. I pari që kalon finishin ishte Rosberg që fikson kohën e tij më të mirë, 1.25.400 dhe merr vendin e parë, të cilin e mban vetëm për pak sekonda, kur Hamilton regjistron kohën 1.25.232.
Pas dyshes së Mercedes u rëndit Daniel Ricciardo me Red Bull, pasuar nga Valter Bottas i Williams. Grosjean me Lotus morri vendin e pestë, ndërsa pas tij u rënditen dy Ferrarit, përkatësisht me Kimi Raikkonen dhe Fernando Alonso-n.
Akoma më keq shkoi për Sebastian Vettel. Kampioni në fuqi u ndal në raundin e dytë me kohën 1.27.05 duke zënë vendin e 10-të.
Ajo që bie në sy është se në pesë garat e para të këtij botërori, Mercedes ka marrë të gjithë pole position, katër herë me Lewis Hamilton dhe një me Nico Rosberg, pikërisht atë të hapjes në Australi.
Top Channel