Bundesliga ul siparin

10/05/2014 00:00

Bundesliga luajti ndeshjet e fundit pasditen e kësaj të shtune ku Bajerni i Mynihut mori zyrtarisht titullin kampion, edhe pse matematikisht ishte shpallur i tillë disa javë më parë.

Bavarezët mbyllën me fitore sezonin e rekordeve në Bundesligë duke kapur kuotën e 90 pikëve me 29 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje. Një gol i shënuar nga Pizarro në minutat shtesë të takimit i dha fitoren 1-0 në Alianz Arena skuadrës së Pep Guardiola-s përballë Shtutgartit. Përvec kësaj, në këtë takim u prezantuan edhe fanelat e sezonit të ardhshëm, një rikthim pas në kohë tek vitet ’90.

Edhe Dortmundi dhe Shalke e mbyllën me 3 pikë, pavarësisht se fitorja ishte sa për statistikë. Verdhezinjtë fituan në transfertë ndaj Hertës me rezultatin 0-4, ndërsa blutë mposhtën 4-1 në shtëpi Nurnbergun.

Këto fitore nuk ndryshojnë klasifikimin, Dortmundi mbyll kampionatin me 71 pikë në vendin e dytë, Shalke me 64 siguron vendin e tretë. Katërshja e Ligës së Kampioneve plotësohet nga Bajer Leverkusen që fitoi 2-1 ndaj Verder Bremenit dhe ngjitet në kuotën e 61 pikëve, një më shumë se Volfsburgu, që shpresoi deri në fund në një hap fals të “Aspirinave”.

Ngushëllimi për ujqërit është Liga e Europës së bashku me B. Moenchengladbach dhe Mancin që zuri vendin e shtatë.

Braunschweig dhe Nurnberg bien automatikisht nga Bundesliga, ndërsa Hamburgu do të luajë dy ndeshje me vendin e tretë të Bundesliga 2 për të përcaktuar nëse do të bjerë apo do të vazhdojë të qendrojë mes më të mirëve të futbollit gjerman.

Top Channel