Bashkia e Sarajevës, strehë edhe e Bibliotekës Kombëtare të vendit, është rihapur 22 vjet pas shkatërrimit gjatë luftës. Ndërtesa ikonë u godit me mortaja e u dogj nga themelet në kohën e rrethimit të kryeqytetit boshnjak në 1992-shin.

Restaurimi i saj u realizua për të shënuar 100-vjetorin e Luftës së Parë Botërore, shkëndija e së cilës qe vrasja e arkidukës austriak Franz Ferdinand.

Ky i fundit u qëllua për vdekje pikërisht pas largimit nga godina e Bashkisë, 28 qershorin e vitit 1914. Bashkia e qytetit u përurua me një ceremoni të veçantë mbrëmjen e së premtes, me projeksione 3D në fasadën e saj, që tregonin momentet kyçe të historisë së godinës, që daton në shekullin XIX.

“Sonte ne shënojmë triumfin e qytetërimit mbi barbarizmin, të dritës mbi errësirën, të jetës mbi vdekjen dhe triumfin e idesë së unitetit dhe bashkekzistencës”, deklaroi anëtari boshnjak i presidencës trepalëshe të Bosnjes.

Ndërtesa, që ndodhet në lagjen e vjetër turke të Sarajevës, nuk ka pasur rëndësi ushtarake gjatë luftës. Rreth 2 milionë libra të bibliotekës së saj, mes të cilëve shumë dorëshkrime të rralla, u shkatërruan në vitin 1992.

Bashkia, që u hap për herë të parë në vitin 1986, u kthye në Bibliotekë Kombëtare në vitin 1949. Aktualisht ajo është edhe strehë e bibliotekave universitare, këshillit bashkiak dhe muzeut.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel