Avioni italian ulet në Divjakë

10/05/2014 00:00

Një avion i vogël tip “Piper” u gjet nga policia në bregdetin e Divjakës në orët e pasdrekës së të shtunës, në rrethana misterioze.

Dyshimet e para ranë mbi dy pista, atë të defektit dhe atë të trafikut të drogës, pasi në të njëjtën ditë, por në një rrugë tjetër të Divjakës u kap edhe një makinë me një sasi të konsiderueshme kanabisi.

Kërkimi për avionin nisi pas alarmit të dhënë nga Rinasi. Mjeti fluturues, sipas burimeve të para, i përkiste një shtetasi italian që kishte mbërritur në Shqipëri dy ditë më parë, në aeroportin e Rinasit, me leje të rregullt nga autoritetet e Aviacionit Civil, leje me numër 193, dhënë më datë 5 maj.

Sipas burimeve jozyrtare, avioni kishte qëndruar në pistën e Rinasit për dy ditë, deri të shtunën në drekë, rreth orës 13:30 kur mori lejen për t’u ngritur në një udhëtim panoramik.

Të njëjtat burime i thanë Top Channel se pas ngritjes në fluturim, pas orës 14, avioni humbi kontaktin me Kullën e Rinasit dhe prej këtej u dha alarmi, sipas protokollit të veprimit.

Menjëherë u lajmëruan autoritetet përkatëse dhe policitë në qarqet e Fierit dhe Vlorës u vunë në kërkim të ndonjë vendi uljeje të mundshme të avionit, deri sa ai u pikas në bregdetin e Divjakës.

Burime lokale të policisë thanë se avioni u gjetur me hundë në rërë, ndërkohë që alarmi për mundësinë e trafikut të drogës lindi sepse po në Divjake, po të shtunën, në një tjetër rrugë u kap edhe një makinë me rreth 460 kilogramë kanabis sativa.

Policia pasi rrethoi vendngjarjen arrestoi drejtuesin e mjetit, i cili sipas policisë është shtetasi Saimir Bajrami, i cili u përpoq t’i shpëtonte rrethimit, por u arrestuar dhe gjithashtu iu konfiskuan 27 mijë euro.

Ndërkohë, policia shoqëroi edhe pilotin Italian i cili u mor ne pyetje. Piloti nuk pranoi të ketë pasur lidhje me drogën por pretendoi vetëm për një avari teknike në avion.

Megjithatë, policia bëri me dije se do ta mbajë të shoqëruar pilotin edhe në orët në vazhdim, ndërkohë që marrja në pyetje e Bajramit pritet të zbulojë nëse trafikanti dhe piloti kishin lidhje me njëri-tjetrin.

Tahiri: Piloti, hera e parë në Shqipëri
“Hetimet do të tregojnë nëse ka një lidhje për trafik droge

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka mbajtur pasditen e së shtunës një deklaratë për mediat, ku ka sqaruar rrethanat e gjetjes së avionit të drejtuar nga shtetasi italian në bregdetin e Divjakës.

Gjatë fjalës së tij, Tahiri bëri të ditur se avioni ishte ulur për shkak të një defekti teknik dhe ka mohuar që të ketë pasur lidhje me një trafik eventual droge.

“Në orë 14:40 një avion është ulur në Divjakë. Policia ndaloi drejtuesin e avionit, shtetasin italian Giorgio Riformato. Nga hetimet paraprake rezulton se avioni ishte nisur nga Rinasi në orën 13:26, kishte leje drejtimi të lëshuar nga Aviacioni Civil dhe kishte si destinacion Italinë”, deklaroi Tahiri.

Ministri i Brendshëm saktësoi se, “është hera e parë që ky avion ulet në vendin tonë dhe se nga shtetasi italian është mësuar se avioni ka bërë ulje të detyruar për shkak të një defekti teknik”.

Ndërkohë, sa i përket sasisë së drogës, Tahiri sqaroi se ajo u gjet në automjetin e një shtetasi shqiptar që sipas tij nuk kishte lidhje me avionin e që u arrestua.

“Policia rrethoi zonën dhe identifikoi makinën tip “Mitsubishi”, me një ngarkesë prej 460 kg kanabis sativa në bord. Drejtuesi i mjetit është arrestuar. Ai quhet Sajmir Bajrami, 35 vjeç, të cilit i janë sekuestruar edhe 27 mijë euro”, shtoi Tahiri.

Piloti italian me preçedentë penalë
Riformato është hetuar për mashtrime nga Guardia di Finanza

Giorgio Riformato, 57 vjeç, piloti i avionit të bllokuar në Divjakë, është një personazh i njohur në Itali. Në vitin 2013 ndaj tij nisi një hetim nga Guardia di Finanza për mashtrim.

Nga hetimet e kryera nga prokuroria italiane rezulton se Riformato, i cili vetëquhej “komandant”, ishte drejtori i një shkolle fluturimi në Mezencana, në afërsi të qytetit Vareze, në veri të vendit fqinj.

Riformato ka shkelur një sërë rregullash të fluturimit duke dhënë mësime për transportin ajëror, pa pasur më parë një leje të tillë. Leja që i ishte dhënë 57-vjeçarit, maksimumi mund t’i jepte atij mundësinë për të kryer fluturime turistike por jo fluturime përfitimi.

Por nëpërmjet dy shoqërimve “Yacht Fly Company”, e regjistruar në emër të tij dhe “Fox Jet Airlines”, e regjistruar në emër të bashkëjetueses së tij, ai ka kryer një sërë fluturimesh taksi nga Vogera në Romë dhe në Puglia.

Sipas hetimeve italiane, një udhëtim stërvitje nga Riformato kushtonte afërsisht 1.200 euro, një kosto e lartë sipas mediave italine që përkon me çmimin e një bilete nga Europa në Kinë, apo në Amerikën e Veriut.

Avionet “Piper”, charter-a privatë
Arrijnë gjatësinë 8.5 metra, përshkojnë deri në 1.600 km

Avioni i vogël i gjetur në plazhin e Divjakës është model “Piper PA-32R” dhe i përket familjes së avionëve të vegjël “Piper” që prodhohen nga kompania amerikane “Paper Aircraft”.

Këta tip avionësh, të cilët kanë vetëm 1 motor, janë gjashtë-vendëshe, nga të cilat 1 është për pilotin dhe 5 janë për pasagjerët.

Avionët “Piper” përdoren për charter privat, taksi ajrore dhe për transport mallrash. Gjatësia e tij është 8.44 metra, hapja e krahëve është e gjatë 9.99 metra dhe lartësia 2.9.

Sipas të dhënave, pesha e avionëve “Piper” të boshatisur është rreth 900 kg, ndërkohë që me ngarkesë pesha shkon në rreth 1.600 kg. Pra, ngarkesa më e madhe që mund të mbajë dhe të transportojë ky avion shkon deri në 500 kg.

Shpejtësia maksimale e avionëve tip “Piper” është 306 km/h ndërkohë që me një depozitë të mbushur plot më karburant, ai mund të përshkojë 1.600 km. 

Top Channel