Seedorf, e ardhmja përcaktohet më 25 Maj

09/05/2014 00:00

Dita e parë e Silvio Berlusconi-t si shërbyes social, në shtëpinë e të moshuarve të Cesano Boscone-s, është mbizotëruar nga ngjyrat kuqezi.

“Me të sëmurët kam folur shumë rreth Milanit”, është shprehur presidenti i kuqezinjve. Më pas edhe një batutë, që shihet më shumë si një goditje ndaj Clarence Seedorf. “Kam takuar shumë persona, që mund t’i menaxhojnë shumë mirë dhomat e zhveshjes të Milanit, e që do të donin më të mirën prej lojtarëve”.

Por, në dalje, Berlusconi është përpjekur të justifikohet dhe ka anashkaluar pyetjet mbi futbollin. “Jemi duke folur për politikë, Milani hyn në një fushë tjetër, që i përket gjërave të shenjta. Seedorf? Nuk jam aq i zoti sa të kaloj nga njëri argument te tjetri”.

Silvio Berlusconi duket se po i jep një tjetër sinjal trajnerit holandez, e ardhmja e të cilit duket ditë pas ditë më e përcaktuar.

Ndërkaq, edhe koha ecën kundër tij. Më 18 Maj përfundon kampionati, por për të ditur se kush do ta drejtojë pankinën e Milanit për sezonin 2014-15 duket ende herët. Ndoshta edhe 1 javë më shumë, pasi të përfundojnë edhe zgjedhjet europiane, pas të cilave Berlusconi do të mund t’i dedikojë më shumë kohë Milanit.

Do të mund të analizojë më mirë letrat, apo mundësitë e trajnerëve që ka përpara tij. Thuajse po shkon drejt 100% shansi që Seedorf të largohet, ndërkohë që për pasardhësin e tij flitet shumë mbi Inzaghi-n dhe Spalletti-n, të cilët mund të konsiderohen me shanse të barabarta, nga 45% secili.

Shumë më pak se to, thuajse duke u sfumuar, janë alternativat Donadoni apo Montella, me nga 10% secili, pavarësisht fjalëve të mira të thëna nga presidenti për trajnerin e Fiorentinës. Gjithsesi, çdo gjë mbetet enigmë deri më 25 Maj, atëherë kur nuk përjashtohen as surprizat.

Top Channel