Të enjten Lëvizja Vetëvendosje paraqiti alternativën e saj qeverisëse. Lideri i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti shpalosi dhe shpjegoi në hollësi temat nga Alternativa Qeverisëse.

Në fjalimin e tij ai e vuri theksin tek: Tatimi Progresiv – tatim i
drejtë; rimëkëmbja e industrisë prodhuese; të drejtat e punëtorëve dhe
organizim sindikal; bujqësia që zëvendëson importet; arsimi pa pagesë dhe i
lidhur me ekonominë; sigurimet shëndetësore publike; rritja e pensioneve
si solidaritet midis gjeneratave; politika e bashkimit të Mitrovicës
dhe kombit; banka për zhvillim, jo për fajde; sovraniteti ekonomik mbi
pasuritë natyrore; ligji për barazi dhe konfiskimi i pasurisë së
paligjshme.

Lideri i VV-së, Albin Kurti i cili foli për alternativen qeverisëse të VV solli si shembull fitoren e Prishtinës me Shpend Ahmetin në zgjedhjet e fundit lokale.

“Ta sigurojmë fitoren e Vetëvendosjes e cila nuk është thjeshtë fitore e njerëzve të Vetëvendosjes. Shpend Ahmeti u bë kryetar i komunës së Prishtinës, por ky vet s’ia ka parë dobinë. Shpendit iu ka rrit lodhja, iu ka rrit stresi, iu ka zvogëlua rroga, në krahasim me Universitetin Amerikan. Iu kanë zvogëluar orët e gjumit, iu kanë rrit kërcënimet. Iu kanë zvogëluar orët e kohës së lirë. Ama qytetarët e Prishtinës kanë përfituar shumë”, deklaroi Albin Kurti.

Ndërsa, Shpend Ahmeti, i cili foli për punën e bërë që nga ardhja e tij në krye të komunës së Prishtinës, tha se VV është e rrezikshme, po vetëm për të korruptuarit. Ndërsa tha se VV nuk ftohet në takime nëpër ambasada, pasi qëndrimet e saj janë publike dhe nuk ndryshohen në takime ashtu siç bëjnë të tjerët.

“Kemi shumë punë para vetes, nuk kemi shumë kohë, por një gjë është e qartë. Në një anë është lëvizja VV dhe në anën tjetër ata që e kanë treguar veten për 14 vjet, si e kanë qeverisur këtë Kosovë. Do të na sulmojnë, kanë filluar të na sulmojnë, e këndej thonë se jeni të parëndësishëm, por ne po iu sulmojmë. Po na sulmojnë se jemi shumë të rëndësishëm dhe fitorja është afër””, tha Shpend Ahmeti.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti bëri publike se subjektit të tij i është bashkuar drejtori i KIPRED-it, Ilir Deda. Deda theksoi se përmirësimi i jetës në mënyrë dramatike është i nevojshëm dhe i mundshëm vetëm me VV-në.

Top Channel