Tiranë-Durrës, shpërthen në rrugë makina

08/05/2014 00:00

Një shpërthim me lëndë eksplozive ka ndodhur ditën e enjte në një automjet që lëvizte në superstradën Durrës-Tiranë.

Një sasi lënde plasesë e llojit C4 ishte vendosur poshtë automjetit fuoristradë, tip “Mitsubishi”, në krahun e pasagjerit. Mjeti drejtohej nga shtetasja Entela Çano, me shtetesi shqiptaro-amerikane dhe profesion inxhiniere ndërtimi.

Ngjarja ndodhi poshtë mbikalimit të Sukthit në superstradë, duke krijuar edhe probleme të shumta në qarkullimin rrugor. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se Çano, drejtuese e një studioje projektimi në Tiranë, po kthehej nga Kavaja kur makina ka shpërthyer teksa ndodhej në lëvizje.

38-vjeçarja ka mohuar të ketë konflikte me persona të tjerë, ndërkohë që grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e shpërthimit të radhës.

Fillimisht u deklarua se flakët ishin pasojë e një defekti teknik, por mbikëqyrja e imtësishme e vendit të ngjarjes çoi në konstatimin e pranisë së lëndës plasëse.

Drejtuesja e mjetit, me të dëgjuar shpërthimin, ka ndalur makinën dhe ka zbritur menjëherë, pa u lënduar, ndërkohë që zjarrfikësit kanë shuar flakët.

Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se sasia e eksplozivit, e vendosur në pjesën e poshtme të automjetit, nuk ka qenë e madhe dhe se vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rastin. E kontaktuar në linjë telefonike Çano, nënë e dy fëmijëve, nuk ka pranuar të flasë mbi ngjarjen.

Top Channel