Komisioni Shtetëror Zgjedhor të mërkurën u ka ndarë çertifikatat deputetëve të zgjedhur më 27 prill. Në emër të KSHZ-së, çertifikatat i ka ndarë nënkryetari i këtij institucioni, Subhi Jakupi.

“Në emër të KSHZ-së ju uroj për mandatin e ri. KSHZ ka bërë çmos që këto zgjedhje në aspektin teknik dhe atë administrativ të jenë zhvilluar në atmosferë korrekte dhe demokratike”, deklaroi Jakupi.

Deputet i PDSH-së, Ymer Aliu e falenderoi për pritjen nënkryetarin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, megjithatë tha se nuk mund të harrohet përfshirja e tij në falsifikimin e zgjedhjeve lokale në komunën e Çairit një vit më parë.

“Është fatkeqësi kur ndodh që i njëjti nënkryetar ta marrë fjalën i pari në këtë komision. Mirëpo ja që ky është realiteti. Nga informatat që kemi për pjesëmarrjen tuaj në falsifikimin e zgjedhjeve lokale në komunën e Çairit, këtë çështje nuk mund ta lëmë në harresë. Por gjithësesi, faleminderit për këtë pritje”, deklaroi Aliu.

Gjatë cerominisë se ndarjeve të çertifikatave, deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi tha se në këto zgjedhje fitues i vërtetë ka dalë Bashkimi Demokratik për Integrim.

“BDI në këto zgjedhje vjen me një numër rekord të mandateve, 19 deputetë nuk ka patur asnjëherë. Prandaj me të drejtë i vlerësojmë këto zgjedhje si më të suksesshmet deri më tani”, u shpreh Ademi.

Çertifikatat i kanë marrë edhe deputetët e VMRO-DPMNE-së, ndërsa ata të LSDM-së opozitare nuk kanë marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së tyre, pasi nuk njohin zgjedhjet dhe kanë vendosur t’i refuzojnë 34 mandatet e fituara më 27 prill. Mandatin e vetëm të fituar në këto zgjedhje do ta refuzojë edhe partia shqiptare RDK, e cila po ashtu nuk njeh rezultatin zgjedhor.

Në ceremoninë e ndarjes së çertifikatave nuk ka qenë i pranishëm as kryetari i KSHZ-së, Nikola Rillkovski dhe anëtarët e opozitës maqedonase në këtë komision. Seanca e parë e përbërjes së re parlamentare pritet të mbahet të shtunën më 10 maj.

Top Channel