Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe krerët e subjekteve më të mëdha politike kanë përfunduar konsultimet gjatë të cilave u gjet konsensusi për shpërndarjen e Parlamentit.

“Ne jemi dakorduar të shkojmë në një proces të koordinuar, të shpërbërjes së Kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve më 8 qershor. Është një pjekuri e klasës politike për të shkuar në zgjedhje të parakohshme”, komentoi pas takimit kryeministri Hashim Thaçi.

“Sot do shkrijmë Kuvendin, deputetët e LDK-së do ta japin votën e tyre. Presim që vota të mblidhet dhe Kuvendi të shpërbëhet”, tha nga ana tjetër kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

Edhe pse mori pjesë prej dy javësh nëpër takime, ku është folur për shpërndarjen e Kuvendit dhe për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, lideri i AKR-së Behgjet Pacolli doli i habitur nga takimi me presidenten, ku u vendos për një axhendë të shpejtë të zgjedhjeve.

“Partitë e mëdha ishin marrë vesh për të shpërbërë Kuvendin. Nuk besoj se vota e AKR-së ndryshon diçka. Kuptova që PDK dhe LDK ishin marrë vesh që vendi të shkojë në zgjedhje dhe më duket me probabilitet të madh më 8 qershor”, deklaroi Pacolli.

Presidentja Atifete Jahjaga u ka thënë liderëve politikë se menjëherë pas shpërndarjes së Kuvendit, ajo do të veprojë në përputhje me Kushtetutën për t’i shpallur zgjedhjet e parakohshme në afatin më optimal.

Në këtë takim me presidenten mungoi kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, por një ditë më parë ai konfirmoi se deputetët e AAK-së e miratojnë shpërndarjen e Kuvendit. Sërish të paftuar në takim kanë qenë lëvizja Vetëvendosje dhe subjektet e minoriteteve.

Top Channel ka mësuar se Jahjaga të enjten do t’i thërrasë sërish në takim përfaqësuesit e të gjitha subjekteve për të arritur konsensus rreth datës së zgjedhjeve, ndërsa të premten ajo pritet të shpallë 8 qershorin si datë të zgjedhjeve.

Top Channel