Itali, shqiptari arratiset nga burgu

07/05/2014 00:00

Një shtetas shqiptar, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje në Itali, është arratisur nga burgu Pagliarelli, në Palermo, ku vuante dënimin.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave 36-vjeçari Valentin Frokaj ka ngjitur murin rrethues dhe ka zbritur në tokë përmes çarçafit. Patrulla të shumta policore janë vënë në kërkim të tij, të ndihmuara edhe nga një helikopter që po patrullon zonën.

Sipas rindërtimit të skemës së arratisë nga agjentët e burgut, gjatë orës së ajrimit 36-vjeçari ka dalë në lulishten e burgut duke fshehur çarçafët poshtë rrobave.

Më pas ka arritur të ngjisë murin rrethues, duke kaluar edhe telat me gjemba dhe përmes çarçafit ka zbritur në një rrugë që përkon me murin e burgut.

Agjentët e qendrës së dënimit tek telat me gjemba kanë gjetur copa çarçafi dhe njolla gjaku, të cilat ua kanë dhënë qenve për nuhatje.

Frokaj, që në fotot sinjalistike shfaqet duke buzëqeshur, i ka flokët të qethura zero, është i gjatë 1 metër e 80 dhe ka një fizik të fuqishëm. Në momentin e arratisë ai mbante veshur xhinse dhe një bluzë të bardhë me mëngë të shkurtra.

Artin e arratisë ai e kultivon prej kohësh. Ishte shkurti i vitit 2013 kur arriti të arratisej nga burgu i Parmës, ku po shlyente dënimin për vrasjen e bashkëkombasit Elton Llaho gjatë një sherri.

Atëherë u arratis duke sharruar hekurat e dritares së qelisë dhe sikurse sot, duke zbritur në tokë përmes çarçafit. Pas arratisë së shkurtit ai u arrestua në muajin gusht në Vinjate të Milanos, prej nga u transportua në Palermo.

Top Channel