“Bregdeti i Vlorës i minuar”

07/05/2014 00:00

Në një hartë të kompanisë ndërkombëtare “Navionics”, e cila prej 30 vitesh operon në publikimin e hartave të lundrimit për të gjithë vendet e botës, Gjiri i Vlorës konsiderohet si një zonë me rrezikshmëri të lartë lundrimi për shkak të zonave të minuara.

Hapësira detare prej grykëderdhjes së Vjosës deri në afërsi të Gjirit të Gramës në Karaburun vlerësohet si zonë e minuar.

Në legjendën e hartës përshkruhet se e gjithë kjo sipërfaqe paraqet rrezikshmëri për shkak të minave apo municioneve luftarake që ndodhen aty.

Sipas “Navionics” të gjitha mjetet lundruese që patrullojnë në këtë zonë duhet të tregohen të kujdesshme dhe të kenë kontakte të vazhdueshme me kapitanerinë e portit.  

Ndërkaq, e kontaktuar nga Top Channel zyra e “Navionics” në Britani deklaron se hartat e tyre rifreskohen çdo ditë dhe se janë të sakta.

“Të dhënat tona rifreskohen çdo ditë, por varet se cilat të dhëna ne përdorim për bregdetin shqiptar dhe sa shpesh ato rifreskohen. Ne grumbullojmë të dhënat që vijnë nga burimet, pasi është e pamundur që ne t’i kryejmë vet këto verifikime”, tha Lance Godefroy, nga zyra e shtypit e “Navionics”.

Shefi i Shtabit të Forcave Detare, kapiteni i rangut të dytë, Adnand Agastra në një intervistë telefonike për Top Channel tregon se bregdeti i Vlorës është i pastër, por nuk mohon që në Gjirin e Vlorës dhe në zonën e Sazanit ka mbetje municionesh, por sipas tij nuk sjellin rrezik për lundrimin.

“Në bregdetin shqiptar janë identifikuar rajone me mbetje municionesh, jo zona të minuara. Në konceptin tonë këto janë mbetje të municioneve, predha dhe jo mina luftarake apo silura të cilat janë armatime nënujore. Këto zona janë të piketuara në mënyrë të saktë, si në Gjirin e Vlorës dhe te zona e Kalasë. Kemi organizuar disa operacione për demilitarizimin e këtyre zonave, por aty ka ende mbetje dhe në afërsi të ishullit të Sazanit. Them me bindje se hapësira detare shqiptare nuk ka asnjë rajon, e cila mund të bëhet pengesë për lundrimin paqësor të mjeteve civile apo ushtarake të lundrimit”, tha Shefi i Shtabit të Forcave Detare, Adnand Agastra.

Sipas Navionics këto harta sigurohen nga burime të ndryshme nga ku duhet të gjendet edhe gabimi.

“Ajo që Navionics përpiqet të bëjë është që të gjejë burime të besueshme, por nëse ka ndryshime lidhur me këto zona, ne fillimisht duhet të identifikojmë zonën ekzakte dhe cili është problemi me të, më pas të dhënat përpunohen nëse verifikohet nëse ka probleme dhe ai korigjohet”, deklaroi Lance Godefroy.

Por sipas kryekapitenit të Portit të Vlorës, Anastas Goga Gjiri i Vlorës është i pastër nga minat dhe lehtësisht i lundrueshëm.

Harta në fjalë i referohet Luftës së Dytë Botërore, kur kjo zona ka qenë e minuar. Harta e fundit që kemi ne për Gjirin e Vlorës është e vitit 2002. Unë ju garantojë që Gjiri i Vlorës është i pastër nga të gjitha rreziqet, por edhe zona të cilat i referohen disa harta, cilësohen si ish-zona të minuara”, Anastas Goga.

Pavarësisht  garancive që japin drejtues të lartë shqiptarë sërish problemi mbetet. Turistë të huaj që vijnë në Shqipëri apo pritet të vijnë i referohen këtyre hartave, si kjo e botuar nga kompania Navionics dhe që krijojnë një perceptim të gabuar për sigurinë e ujërave shqiptare, ca më keq kur institucionet shqiptare shpesh herë kanë dëshmuar mungesë të lart besimi te publiku.

Top Channel