Shkup, largohet familja Zeqiri

06/05/2014 00:00

20 anëtarë të familjes shqiptare Zeqiri, të hënën kanë lënë shtëpitë e tyre në lagjen Radishan të Shkupit dhe janë nisur për në vendet e Europës për të kërkuar azil. Kryefamiljari Faik Zeqiri thotë se, pas sulmeve të shumta të huliganëve, katër vëllezërit e tij vendosën të lënë pronat dhe të kërkojnë jetë më të sigurt.

“Janë shpërngulur 20 anëtarë, jemi edhe 10 këtu. Dy vëllezër me fëmijë, por edhe ne duhet të largohemi. Janë larguar dje (e hënë). Janë nisur për në Austri e Gjermani, ku të arrijnë të strehohen. Kërkojmë shpëtim. Jetojmë prej 40 vitesh këtu dhe nuk e kemi paramenduar se mund të na ndodhte kjo. Mirëpo, meqë askush nuk merr masa, ne e kemi vendosur që të largohemi”, tha Faik Zeqiri, kryefamiljari i Zeqirëve.

Faiku, bashkë me fëmijët e tij dhe njërin nga 6 vëllezërit, ende nuk janë larguar nga Shkupi. Megjithatë, edhe ata nuk jetojnë më në shtëpinë e tyre në Radishan, por janë shpërngulur në një lagje tjetër të kryeqytetit. Që nga sulmi i fundit ndaj familjes së tij, Faiku thotë se, bashkë me vëllezërit dhe nipat, çdo natë kanë bërë roje rreth shtëpive.

“Pronat do t’i lemë në duar të Zotit, s’mund t’i marrim me vet. Vëllezërit e mi shkuan dhe e lanë pronën. Për këto prona dhe që të mos shtohemi më shumë kanë lindur gjithë këto probleme, sepse ne s’kemi pasur ngatërresa me askënd”, tha më tej Faik Zeqiri.

Për shkak të presioneve të shumta, sipas Faik Zeqirit, edhe familjet e tjera shqiptare do të largohen nga lagja Radishan e Shkupit, ku shqiptarët janë pakicë. Faiku thotë se, ata që dëshirojnë t’i shpërngulin shqiptarët nga kjo lagje, po ia arrijnë qëllimit.

“Janë katër familje të tjera shqiptare në këtë lagje, por edhe ato së shpejti do të largohen. Ai vend do të zbrazet nga shqiptarët brenda muajit ose javës”, theksoi Faik Zeqiri.

Rreth tri javë më parë, një grup huliganësh maqedonas kanë sulmuar familjen Zeqiri në shtëpinë e tyre, ndërsa e gjithë ngjarja është filmuar nga kamerat private, të vendosura në njërën nga shtëpitë e kësaj familjeje.

Sipas kryefamiljarit Faik Zeqiri, deri më tani askush nuk ka marrë masa për t’u garantuar sigurinë. Familja Zeqiri, edhe në të kaluarën, ka qenë disa herë prè e sulmeve të huliganëve, ndërsa Faiku, pas rastit të fundit, ka kërkuar ndihmë edhe nga kryeministri Edi Rama, për t’u shpërngulur në Shqipëri bashkë me familjen.

Top Channel