
Antonio Conte deklaron se gjatë verës do të zhvillojë bisedimet për të
caktuar nëse do të qëndrojë me Juventus edhe sezonin e ardhshëm, pasi
siguroi titullin “historik” kampion në Serie A.
Si rezultat i humbjes së Romës 4-1 përballë Katanias të dielën, bardhezinjtë u konfirmuan kampionë për të tretën herë rresht, përpara fitores 1-0 të hënën ndaj Atlantas.
Conte vlerësoi ekipin e tij për arritjet e mrekullueshme përgjatë viteve të fundit, por theksoi se është ende i pasigurt nëse do të qëndrojë me klubin përtej sezonit 2013-2014.
“Unë do ta quaja historik këtë Skudeto. Është termi më i përshtatshëm për atë që ky ekip ka bërë në tre vitet e fundit, sidomos pasi dilte i shtati në renditje”, tha ai për gazetarët.
Conte vlerësoi se ajo çfarë ka bërë ekipi në Itali nuk mund të arrihet menjëherë dhe theksoi se, vetëm njerëzit e afërt me të e dinë se çfarë ai u ka dhënë lojtarëve dhe lojtarët atij.
“Ne e kemi thënë gjithmonë, bashkë me klubin, se do të flasim kur situata të jetë qetësuar dhe atëherë do të analizojmë çdo aspekt. Këto tre vjet kanë qenë shumë intensivë dhe shumë stresues”, deklaroi Conte.
“Duhet të ulemi, të shkëmbejmë opinionet me njëri-tjetrin dhe me qetësi të shohim se cila është situata”, ka shtuar tekniku bardhezi, që i ktheu klubit prestigjin.
Top Channel