Besa drejt Kategorisë së Parë

04/05/2014 00:00

Java e 32 në Superligë ka zyrtarizuar Kukësin si nënkampioni i Shqipërisë ndërkohë që lufta për mbijetesë përveç Besës ka përfshirë skuadrën e Vllaznisë dhe atë të Flamurtarit.

Matematikisht të 3 këto skuadra kanë mundësinë për të qëndruar në elitën e futbollit shqiptar dhe vetëm 90 minutat e fundit do të vendosin se cila mes këtyre ekipeve do t’i bashkohet Bylisit, Kastriotit dhe Lushnjës në Kategorinë e Parë.
 
Skënderbeu mposhti 1-2 Partizanin në “Qemal Stafa”, duke ia bërë më të vështirë kryeqytetasve rrugën drejt Europës.

Shkëmbi kaloi korçarët në avantazh ndërkohë që Mazrekaj barazoi shifrat në minutën e fundit. Atëherë kur të gjithë mendonin se ndeshja do të përfundonte në barazim, Pero Pejiç shënoi golin e fitores për Skënderbeun dhe konsolidoi vendin e parë në krye të golashënuesve me 19 të tillë.

Humbja e Partizanit dhe fitorja e thellë 4-1 e Kukësit ndaj Lushnjës i dha mundësinë skuadrës verilindore të mbyllë këtë sezon aty ku e mbylli një vit më parë.

Protagonisti i fitores së kuksianëve ishte Cikalleshi me 3 gola.  Në Vlorë, Flamurtari barazoi 2-2 me Tiranën, duke lënë gjithçka për ndeshjen e fundit me Kastriotin.

Nëse vlonjatët barazojnë apo fitojnë në Krujë, ata do të qëndrojnë në Superligë edhe sezonin e ardhshëm, pavarësisht rezultateve të rivalëve direkt të Besës dhe Vllaznisë.   

Vllaznia barazoi pa gola me Besën, një rezultat që i kënaq më shumë shkodranët, të cilëve u duhet edhe një pikë për të qenë dhe vitin tjetër pjesë e Superligës.

Ndërkohë situate është më e komplikuar për skuadrën kavajase, e cila përveç se duhet të fitojë ndaj Tiranës në javën e fundit, duhet të shpresojë edhe në humbjen e Vllaznisë në Shkodër apo Flamurtarit në Krujë.

Në ankand është edhe një vend për në Europa Ligue. Teuta, Laçi dhe Partizani janë 3 skuadra që kanë mundësinë të përfaqësojnë Shqipërinë në Europë, por ajo që është më afër saj janë laçianët e Nicës që luajnë ndaj Skënderbeut ditën që korçarët do të marrin trofeun e kampionit të Shqipërisë.

Top Channel