Repartet xheniere të ushtrisë nisën bllokimin më blloqe betoni të pistës së aeroporit të Gjadrit. Në këtë mënyrë kjo pistë bëhet tërësisht e papërdorshme për cdo tip avioni.

Bllokimi vjen pas një seri akuzash dhe debatesh për përdorimin e kësaj piste nga avionë që transportojnë lëndë narkotike. Aksioni do të vijojë deri ditën e martë, ndërsa punimet do të mbikëqyren nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

Njëkohësisht me betonizimin e pistës është bërë edhe shkatërrimi i disa ndërtimeve dhe kasolleve në anë të saj, të përdorura nga banorët e zonës.

Gjadri, edhe pse jashtë cdo funksioni ushtarak është ende pronë e ushtrisë shqiptare. I gjithë aeroporti dhe toka përreth kanë një sipërfaqe prej 1.2 milionë metër/katrorë dhe herën e fundit është përdorur nga ushtria për operacionet e emergjencës civile në zonat e përmbytura në veri të vendit.

Deputetë të opozitës akuzonin se nga kjo pistë janë ngritur avionë të vegjël në mënyrë të paligjshme, por akuzat janë hedhur poshtë nga Ministria e Mbrojtjes.

Pas aksionit të fundit ka ardhur edhe reagimi i Partisë Demokratike.

“Betoni në Gjadër dhe në aerodrome të tjera, nuk mbulon përgjegjësinë e Kryeministrit dhe ministrave të tij në këtë aferë të drogës. Rritja shumëfish e trafikut të narkotikëve, sic është evidentuar edhe nga sasia e kapur nga fqinjët tanë, nuk mund të bëhet pa dijeninë dhe implikimin e qeveritarëve. Ndaj PD kërkon fillimin sa më shpejt nga puna të Komisionit Parlamentar Hetimor në mënyrë që të zbulohet sa më shpejt e vërteta dhe të dalin në përgjegjësitë për trafikun e drogës”, deklaroi Keltis Kruja, deputet i PD-së.

Top Channel