Benitez dhe e ardhmja tek Napoli

03/05/2014 00:00

Rafael Benitez insiston se e ardhmja e tij tek Napoli nuk është e lidhur
me rezultatin e finales së Kupës së Italisë që luhet këtë të shtunë.

Pritshmëritë për klubin jugor të vendit fqinj në këtë sezon të Serie A ishin të mëdha, por ata nuk arritën të mbanin të njëjtin hap me Juventusin e vendit të parë dhe Romën në të dytin. Gjithashtu, ata u eleminuan nga Champions League që në fazën e grupeve.

Për rrjedhojë, në shtypin italian kanë qarkulluar zëra se takimi i së shtunës me Fiorentinën do të jetë vendimtar për të ardhmen e Benitez. Megjithatë, tekniku spanjoll insiston se Napoli këtë sezon ka bërë një figurë të mirë.

“Fitorja e Kupës do të ishte e rëndësishme për rritjen e klubit. Sezoni ka qenë shumë pozitiv, me një formacion të ri dhe lojtarë të rinj”, ka thënë Benitez.

“Takimi i së shtunës nuk do të përcaktojë vlerën e sezonit. Pjesa e luanit, sa i takon punës për klubin, tashmë është bërë”, ka theksuar ai.

Tekniku nuk e fsheh dëshirën për fitore, por nënvizon se edhe në rast humbjeje qëndrimi i tij për sezonin nuk do të ndryshonte. “Nëse fitojmë, akoma më mirë. Por edhe në rast të kundërt, asgjë nuk do të ndryshojë sa i përket të ardhmes sime”, ka shtuar Benitez.

Top Channel