
Komuna Frakull ishte ndalesa e radhës për kryeministrin Edi Rama, nga ku shpërndau 100 certifikata pronësie të cilat sipas tij, janë edhe pikënisja e një procesi të dhënies së titujve të pronësisë në fshat në bazë të ligjit 7501.
“Ne jemi këtu për të filluar t’i japim jetë një procesi që ngrihet mbi një zotim shumë të fortë e shumë të qartë, që mbi bazën e ligjit 7051, ne do të ndajmë titujt e pronësisë për të gjithë ata, që sot prej kaq shumë vitesh vazhdojnë punojnë tokën e tyre, me familjet e tyre dhe ende nuk janë bërë dot pronarë të tokës edhe pse kaq shumë vite kanë kaluar e fëmijët janë bërë burra”, tha Kryeministri.
Rama deklaroi ky proces e kthen tokën bujqësore nga një kapital i vdekur në një kapital të qarkullueshëm.
“Besojmë që ky është edhe fillimi i fundit të një kapitulli të gjatë zvarritjeje të pakuptimtë e sfilitëse për të gjithë shqiptarët, familjet shqiptare që jetojnë në fshat, që jetojnë me tokën dhe që përmes tokës mundohen të krijojnë mirëqenien e tyre. Nga ana tjetër, ky është edhe fillimi i një kapitulli të ri për bujqësinë, blegtorinë dhe gjithë hapësirën shqiptare të fshatit, sepse është fillimi i një formalizimi të tregut të tokës”, shtoi Rama.
Divjakë, vizita në serrën e fidanëve
Ndërsa në Divjakë, Kryeministri Edi Rama vizitoi një serrë te prodhimit të fidanëve të perimeve, një investim mbi 38 milionë lekë për përmirësimin e teknikës dhe teknologjisë së prodhimit në serrë të fidanëve të certifikuar. Kjo sipërmarrje agro-biznesi ka përfituar fonde nga skema e granteve IPARD për mbështetjen e bujqësisë që bashkëfinancohet nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Europian në shumën 8 milionë euro.
Ndërkohe deputeti Erjon Braçe sugjeroi masa lehtësuese administrative për bujqësinë.
“Ne mendojmë se teknologjinë e paketës për fasionistët, kryesisht administrative, ta zgjerojmë edhe për eksportuesit e produkteve bujqësore, sepse ka një specifikë që nëse vonohen në doganë, u prishet produkti”, deklaroi Braçe.
Ndërsa Ministri Panariti informoi se laboratori për analizat fizio-kimike të produkteve bujqësore në Lushnje funksionon dhe nxjerr përgjigjet në nje kohë reale për insekticidet, metalet e rënda dhe stimuluesit hormonalë.
Top Channel