
Presidenti amerikan Barack Obama priti të premten në një vizitë zyrtare kancelaren gjermane Angela Merkel, në të parën vizitë të kësaj të fundit në SHBA, që pas shpërthimit të skandalit të përgjimeve.
Vendin kryesor në konferencën e përbashkët për shtyp e zuri kriza e Ukrainës dhe përkeqësimi i situatës në rajonet lindore, ku separatistët pro-rusë dhe forcat ukrainase janë përballur prej ditësh për të siguruar kontrollin e tyre.
Presidenti Obama bëri thirrje ndaj Rusisë të influencojë ndaj grupeve ushtarake pro-ruse në Ukrainë të tërhiqen pas dhe dënoi gjithashtu mbajtjen nga milicia të vëzhguesve ndërkombëtarë.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, në Uashington, së bashku me Angela Merkel, ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe Europa janë në një mendje për t’i shtuar kostot Rusisë për veprimet e saj në Ukrainë. “Do të vendosim sanksione më të ashpra ndaj Rusisë, nëse kjo e fundit nuk ndryshon kursin e mbajtur deri më tani dhe nëse vijon ta destabilizojë situatën në Lindje të Ukrainës”, tha Obama, duke shkuar edhe më tej me paralajmërimin se “nëse Rusia ndërhyn në zgjedhjet presidenciale të Ukrainës, sanksionet e reja do të prekin edhe sektorë të rëndësishëm si energjia, armët dhe institucionet financiare e kreditore të Rusisë”.
Me të njëjtin qëndrim u shfaq edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila ndër të tjera tha se “do të kalojmë në fazën e tretë të sanksioneve nëse situata nuk stabilizohet përpara zgjedhjeve të 25 Majit në Ukrainë, kjo kundër dëshirës sonë, por për shkak se është më se e nevojshme”.
Së bashku me kreun e Shtëpisë së Bardhë, Merkel u shpreh se “zgjidhja diplomatike” është preferenca kryesore e Perëndimit për krizën ukrainase, por nëse diçka e tillë nuk bëhet e mundur, atëherë “ne do të jemi të gatshëm për të vepruar me shpejtësi” për të frenuar një ndërhyrje tjetër të Rusisë në Ukrainë.
Në konferencën e përbashkët mes tyre u diskutua edhe mbi programet e survejimit të NSA-së, teksa të dy vendet janë angazhuar që t’i diskutojnë së bashku “diferencat e opinioneve” të tyre mbi përgjigjet për sigurinë ndërkombëtare. Obama u shpreh i mërzitur që këto zbulime ndikuan ndjeshëm në marrëdhëniet me Gjermaninë, por tha se “ndajmë me aleatët tanë të gjitha hapat e ndërmarra deri tani për zgjidhjen e çështjes dhe për të treguar marrjen e përgjegjësisë nga ana jonë”.
Megjithatë, presidenti Obama theksoi se “SHBA-të nuk kanë asnjë marrëveshje të shkruar apo të dakordësuar me ndonjë vend në botë, që ndalon përgjimet ndërkombëtare për arsye sigurie”.
Top Channel