Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Osmani është dorëzuar në polici mëngjesin e së enjtes.

Burime policore thanë se ai ka hyrë në Kosovë në ora 6.30 minuta të mëngjesit dhe menjëherë është shoqëruar për në stacionin policor të Prishtinës, ku edhe është marrë në pyetje nga hetuesit.

Avokati i tij, Besnik Berisha tha për Top Channel se dyshimet ndaj Osmanit ndërlidhen me votën e tij si anëtar i bordit i AKP-së në mbledhjen e 20 janarit 2012, për lirimin e bleresit të fabrikës FAN nga zotimet ndaj AKP-së.

Pala mbrojtëse konstaton se hetuesia dhe prokuroria hetimet i kanë drejtuar në rrugë të gabuar, pasi bordi i përbërë nga dy vendorë dhe tre ndërkombëtarë ka votuar vlerësimin që kishte bërë bordi menaxhues i AKP-së.

Sipas palës mbrojtëse, në këtë rast ka ndodhur një keqkuptim i madh pasi është menduar që bordi i drejtorëve është dashur t’i analizojë faturat e paraqitura nga blerësi tek menaxhmenti i AKP-së. Kjo, sipas avokatëve, nuk është detyrë e bordit.

Ndaj Osmanit dhe 11 të tjerëve të enjten u zhvillua seanca e parë për caktimin e masës së paraburgimit. 17 zyrtarë, 11 prej të cilëve u arrestuan të mërkurën, dyshohen për një varg veprash penale që ndërlidhen me periudhën e pas privatizimit të Fabrikës së Armaturës në Podujevë.

Në mesin e të dyshuarve janë edhe tre ndërkombëtarë, dy prej tyre anëtarë të bordit të drejtorëve të tanishëm, por që gëzojnë imunitet nga ligji.

Top Channel