Kinë-Rusi, stërvitje në Detin e Kinës Jugore

30/04/2014 00:00

Kina ka njoftuar gjatë së mërkurës se do të zhvillojë manovra të përbashkëta detare me Rusinë, në Detin e Kinës Lindore në brigjet e Shanghai-t, në fund të muajit Maj, në atë që ajo e konsideron si një përpjekje për të thelluar bashkëpunimin ushtarak.

Ministria kineze e Mbrojtjes nuk ka dhënë me saktësi vendndodhjen në Detin e Kinës Lindore, ku Pekini është përfshirë në një mosmarrëveshje gjithnjë e në rritje me Japoninë, mbi pronësinë e një grupi ishujsh të pabanuar.

“Këto stërvitje janë ushtrime që janë mbajtur rregullisht mes forcave marinse të Kinës dhe Rusisë, qëllimi i të cilave është zgjerimi i bashkëpunimit praktik mes dy ushtrive, për të rritur aftësitë e përbashkëta të reagimit nga kërcënimet e sigurisë detare”, njoftoi Ministria në uebsajtin e saj.

Ajo nuk dha detaje të mëtejshme.

Kina alarmoi Japoninë, Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar, kur njoftoi një Zonë të Re Identifikimi të Mbrojtjes Ajrore, në detin Kinës Lindore, përfshi edhe ishujt e shumëdiskutuar.

Qeveria e Pekinit, që ka shtuar me shpejtësi shpenzimet për ushtrinë, ka nxjerrë vazhdimisht patrulla në Detin e Kinës Lindore, që pas vendosjes së Zonës Ajrore.

Kina u irritua gjatë javës së kaluar, pasi presidenti amerikan Barack Obama siguroi aleatët e Japonisë se Uashingtoni është i angazhuar për mbrojtjen e vendit ishullor, përfshi këtu edhe ishujt e shumëdiskutuar.

Më herët këtë muaj, Tokio njoftoi se do të krijojë një bazë të re mbikqyrjeje me radarë në zonën në fjalë, duke u fokusuar në ishullin tropikal japonez shumë pranë Taivanit.

Stacioni i radarëve në ishullin Yonaguni, 150 km nga ishujt e diskutuar në Detin e Kinës Lindore, shënojnë ekspansionin e parë ushtarak të Japonisë në rajonin më jugor në Perëndim të zinxhirit ishullor të tij, pas më shumë se 40 vjetësh.

Kina dhe Rusia kanë marrëdhënie të ngushta diplomatike, lidhje sigurie dhe ekonomike, si dhe zhvillojnë rregullisht stërvitje të përbashkëta ushtarake.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB