Itali, rihapja e çështjes së Meredith

30/04/2014 00:00

Studentja angleze Meredith Kercher u godit në qafë nga dy armë të mprehta të ndryshme, njëra prej të cilave mbahej nga Amanda Knox, që shkaktoi dhe plagën fatale, ndërsa tjetra nga Raffaele Sollecito.

Kështu shkruajnë gjyqtarët e Firences, në Itali, të cilët motivojnë vendimin e tyre ndaj dy të rinjve, vendim që ka rihapur debatet mbi vrasjen e viteve më parë të studentes angleze.

Gjyqtarët argumentojnë se ekzistojnë prova që vërtetojnë praninë e afrikanit Rudy Guede, Amanda Knox dhe Raffaele Sollecito në vendin e ngjarjes, që janë lënë në fazat e menjëhershme pas vrasjes.

Në motivimin e vendimit të gjyqtarëve, që shpallin fajtorë vajzën amerikane dhe djalin italian, flitet për prova të shumta të cilat përputhen. Sipas gjykatës, tre të rinjtë kanë lënë gjurmë të pranisë së tyre në gjakun e derdhur të Meredith si pasojë e plagëve të marra.

Nga vijimi i hetimeve ka dalë në dritë se natën e vrasjes kishte pasur një sherr mes studentes angleze dhe Amandës, me një “agresivitet të theksuar” të kësaj të fundit.

Sherri është pasuar nga dhuna seksuale e afrikanit Guede dhe nga përdorimi i armëve të ftohta nga dy të rinjtë e tjerë dhe nuk është e besueshme pista që mes të katërve të kishte pasur një aktivitet seksual në grup.

Ndërkohë, pasi është njohur nga avokatët e saj me vendimin e ri, Amanda ka reaguar duke thënë: “Jam e pafajshme. Nuk e kuptoj se si ky proces vazhdon ende”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB