Iraku në zgjedhje, vendi “i blinduar”

30/04/2014 00:00

Masa të larta sigurie janë vendosur në mbarë Irakun, teksa vendi voton për zgjedhjet e para parlamentare që nga tërheqja e trupave amerikane tre vjet më parë.

Qendrat e votimit u hapën në 7 të mëngjesit, me orën lokale dhe mbyllen në 18:00. Kryeministri Nouri al Maliki shpreson të fitojë një mandat të tretë në drejtimin e qeverisë, në një kohë kur në perëndim të vendit janë shtuar rebelimet.

Aktualisht Iraku po përjeton trazirat më të këqija që nga viti 2008, me 160 të vdekur vetëm javën e kaluar. Rreth 22 milionë irakenë kanë të drejtën e votës dhe rreth 50 mijë qendra votimi janë hapur në mbarë vendin.

Korrespondenti i BBC në Bagdad deklaron se rrugët e kryeqytetit janë thuajse bosh, për shkak të mbylljes së tyre për automjetet.

Ai thotë se shumë nga votuesit po shkojnë për të votuar në këmbë, pasi përdorimi i automjeteve është ndaluar për të shmangur sulme të mundshme vetëvrasëse. Shumë votues janë përballur me kontrolle të shumta përpara se të lejoheshin të hynin në qendrat zgjedhore.

Incidenti i parë i ndodhur ditën e zgjedhjeve ishte në qytetin Dibis, në afërsi të Kirkukut, ku sipas policisë një bombë artizanale e vendosur anës rrugës vrau dy gra që po shkonin të votonin.

Edhe pse është e vështirë të parashikohet rezultati i zgjedhjeve, zoti Maliki pritet të jetë sërish një figurë kyçe në formimin e koalicionit qeveritar pas procesit zgjedhor.

Korrespondenti i BBC shton më tej se rezultatet nuk duhet të pritet të dalin shpejt dhe ka gjasa që bisedimet për formimin e një koalicioni të kërkojnë kohë të gjatë. Në zgjedhjet e mëparshme u deshën rreth 10 muaj për të formuar qeverinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB