Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski vlerëson se vendimi i partisë opozitare LSDM për të mos njohur rezultatet zgjedhore dhe për të refuzuar mandatet e deputetëve që i fitoi në zgjedhjet e së dielës, është në dëm të interesave shtetërore.

“Vlerësoj se ky vendim është i dëmshëm në radhë të parë për vendin, por edhe për vetë partinë që e ka marrë vendimin e saj. LSDM-ja ende ka kohë ta shqyrtojë vendimin deri sa të formohet parlamenti”, ka deklaruar Gruevski.

Vendimin e LSDM-së e ka komentuar edhe zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani, i cili ka thënë se gjatë vendimmarrjes partitë duhet të kenë parasysh pasojat mbi të ardhmen e vendit.

“Mendoj se partitë politike kanë të drejtë autonome për të sjellë vendime sa i takon aktiviteteve apo politikave të tyre, por ato duhet të vlerësojnë se si këto vendime do të reflektojnë në paqen, stabilitetin dhe në të ardhmen e qytetarëve të Maqedonisë”, ka thënë Osmani.

Nga ana tjetër, partia maqedonase VMRO-DPMNE e kryeministrit Gruevski, po planifikon ti fillojë negociatat për formimin e qeverisë së re pas 1 majit.

Burime të larta pranë kësaj partie, bëjnë të ditur se ftesën e parë për negociata VMRO-ja do t’ia dërgojë BDI-së. Por, sipas të njejtave burime nëse nuk gjendet gjuhë e përbashkët mes këtyre dy partive, VMRO-DPMNE-ja mund të nis negociata me ndonjë parti tjetër për koalicionin qeveritar.

Ndërkohë, vetë lideri i BDI-së Ali Ahemti ka thënë se qeveria e ardhshme nuk mund të formohet nëse në të nuk përfshihet partia e tij. Sipas afatit ligjor Qeveria e re e Maqedonisë duhet të formohet më së voni deri më 16 qershor.

Top Channel