Greqi, kaos në tregun e fermerëve

30/04/2014 00:00

Skena të pabesueshme janë parë mesditën e së mërkurës në disa tregje ushqimore të Athinës dhe Selanikut, në të cilat prodhuesit dhe fermerët kanë shpërndarë produkte ushqimore falas, në shenjë proteste ndaj reformave që po kryen qeveria përsa i përket rregullimit të procesit të shitjes në këto tregje.

Për disa orë me radhë mijëra qytetarë kanë pritur për të marrë një qese me ushqime falas, ashtu siç kishin paralajmëruar fermerët, por rregullin e fillimit e ka pasuar kaosi.

Qytetarë të shtresave të varfëra kanë rrethuar vendet e shitjes së fermerëve duke rrëzuar tryezat me produkte, duke shtyrë, shkelur dhe në disa raste edhe duke u përleshur me njëri-tjetrin për të siguruar edhe një qese me sallatë jeshile.

Janë regjistruar madje, sidomos në zonën Kolono të Athinës, edhe humbje ndjenjash të disa të moshuarve dhe janë thirrur ambulancat që kanë shoqëruar njerëzit në spitale për t’u dhënë ndihmën e parë.

“Gjendja është e tmerrshme, pensionet tona janë reduktuar, duhet të paguajmë për kreditë e paketës së shpëtimit, duhet të paguajmë taksat, si do t’ia dalim? Si mund t’i paguajmë taksat me 500 euro pension, ndërsa kemi punuar 38 vjet”, thotë Maria, një pensioniste 85-vjeçare.

Duke parë rrëmujën e krijuar, fermerët janë detyruar të shpërndajnë produktet nga makinat e tyre. Në shumë zona të kryeqytetit, por edhe në Selanik, në zonën qendrore të Kamarës, është bllokuar për disa orë qarkullimi i makinave si rezulat i kaosit të krijuar.

Gjithësej janë shpërndarë mbi 250 tonë fruta dhe zarzavate dhe mbi 4 tonë peshq. Vetëm disa ditë më parë, sipas BE, Greqia siguroi një tepricë primare prej 1.5 miliard eurosh dhe kreu daljen e saj të parë me sukses në tregje, duke trumpetuar se ekonomia e saj po jepte shenjat e para të rimëkëmbjes.

Por siç komentojnë agjencitë e huaja, pas këtyre pamjeve dramatike, standardet e jetesës së shumë grekëve mbeten në një gjendje të tmerrshme. Në katër vitet e fundit të thellimit të krizës, pagat dhe pensionet e qytetarëve janë reduktuar me mbi 25%, mijëra vetë kanë humbur punën dhe si rezultat i reçesionit ekonomik, një në tre grekë jeton tashmë pranë kufirit të varfërisë.

Top Channel