Ankaraja hedh poshtë bashkëpunimin trepalësh të mbrojtjes, akuzon Greqinë për shkelje të hapësirës ajrore mbi Egje Në këndvështrimin e FMN-së, Rusia po përjeton që tani një recesion të thellë për shkak të dëmeve të shkaktuara nga kriza e Ukrainës.
Organizmi i fuqishëm ndërkombëtar, i cili i ka ulur parashikimet e rritjes ekonomike për vendin, mendon se 100 miliardë dollarë do të dalin nga Rusia këtë vit.
Kreu i misionit të FMN-së në Moskë, Antonio Spilimbergo, është i bindur se sanksionet ndërkombëtare po e dëmtojnë ekonominë ruse, të tkurrur që tremujorin e parë të 2014-s, e janë duke kërcënuar ashpër investimet.
Për Spilimbergon, kontraktimi i ekonomisë do të vazhdojë.
“Nëse me recesion nënkuptohen dy tremujorë radhazi me rritje ekonomike negative, atëherë ajo që Rusia po përjeton në këtë moment është një recesion i thellë. Gjendja e vështirë, e sidomos paqëndrueshmëria që rrethon situatën gjeopolitike, si dhe shtimi i sanksioneve perëndimore po ndikojnë shumë negativisht në klimën e përgjithshme të investimeve”, tha Antonio Spilimbergo, shef i misionit të FMN-së në Moskë.
Për 2014-n, FMN-ja i uli projeksionet e rritjes ekonomike të vendit në 0,2% nga 1,3% që ishin fillimisht, dhe shtoi se vitin e ardhshëm rritja nuk do të kalojë 1 përqindëshin.
Edhe Standard & Poor’s e uli vlerësimin për Rusinë një shkallë mbi nivelin “junk”. Ndërsa javën e kaluar, Banka Qendrore ruse rriti normën e interesit nga 7 në 7,5%, në përpjekje për të mbrojtur rublën, që ka humbur sivjet më shumë se 8% të vlerës kundrejt dollarit.
Top Channel