Elbasan, vritet i kërkuari

30/04/2014 00:00

Një 46-vjeçar u ekzekutua nga dy persona ende të paidentifikuar, teksa ishte duke parkuar automjetin. Ngjarja ndodhi në qytetin e Elbasanit, ndërkohë që viktima quhet Arben Çeta, i cili për policinë lokale, së fundmi, ishte në kërkim.

Një burim i tha Top Channel se 46-vjeçari ishte arrestuar si i dyshuar për një vjedhje në Nëntor 2013, por gjatë masës së sigurimit personal, Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan i kishte dhënë lirinë, duke vendosur një masë më të lehtë, atë të sigurimit “detyrim me paraqitje”.

Pas ankimimit në Gjykatën e Apelit Durrës, ajo ka vendosur masën e sigurimit “arrest me burg”, por ndërkohë Çeta mësohet se ishte arratisur, duke shënuar kështu emrin e tij në listën e të kërkuarve.

Grupi hetimor shprehet se 46-vjeçari u qëllua brenda makinës së tij, të cilën sapo e kishte parkuar në një nga zonat më të populluara të qytetit, në lagjen “11 Nëntori”. Mësohet se dy persona i janë afruar, duke kryer qitje nga afër, e duke e qëlluar Çetën me tre plumba në kokë, çka i ka sjellë atij vdekjen e menjëhershme.

Policia thotë se në karriren e tij kriminale, i ndjeri njihet si një person që kishte vuajtur 13 vjet burgim për një vrasje. Ngjarja, e cila ka si autor Arben Çetën, ka ndodhur në vitin 1997.

Çeta, jo më larg se në Nëntor të vitit të kaluar, i shpëtoi një tjetër tentative vrasjeje, kur u qëllua me armë zjarri, teksa darkonte në një lokal në Labinot-Fushë. Autori i plagosjes asnjëherë nuk u vu në pranga, pasi nuk u bë i mundur identifikimi i tij, ndërkohë që dyshohet se ngjarjet të kenë lidhje me njëra-tjetrën.

Top Channel