Debatet për ligjin e ri të TVSH-së

30/04/2014 00:00

Me gjithë ndryshimet e reja në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar,
biznesi ka shprehur rezerva sa i përket procesit të rimbursimit të
TVSH-së. Këto shqetësime u ngritën gjatë një forumi të bizneseve,
anëtare të Dhomës Amerikane të Tregtisë.

‘Nëqoftëse do të përmirësohej drafti do duhej të përmirësohej duke patur parasysh problemet ekzistuese në lidhje me rimbursimin e TVSH-së. Në fakt po të lexoni relacionin e draftit të tanishëm, thuhet që problemet janë mbajtur të njëjta dispozita, nuk e di nëse duhet ridiskutuar për të pasqyruar ose për të bërë ndonjë ndryshim për të përmirësuar edhe më tej procedurën e rimbursimit”, tha Ardjana Shehi, kryetare e Komitetit të Taksave dhe Ligjeve.

Zëvendësministri i Financave Ervin Mete tha se Qeveria do të marrë parasysh kërkesat e biznesit, sa i përket përmirësimit të këtij procesi.

“Besoj të gjithë jeni dëshmitarë, që ka një përmirësim të ndjeshëm në rimbursim praktik, por edhe sa u përket procedurave. Kemi specifikisht, 10 faqe udhëzim vetëm për rimbursimin e TVSH-së. Eshtë një praktikë, që ne jo vetëm do ta ndjekim, por do ta përmirësojmë”, tha Mete.

Duke iu referuar shifrave, Drejtorja e Drejtorisë Rajonale të Tatim Paguesve të Mëdhenj, Mimoza Kalia tha se aktualisht pa u rimbursuar ka mbetur vetëm një pjesë e fondit.  

“Nga 5.9 miliardë që është çelur Fondi, janë rimbursuar 5.7 miliardë TVSH ndaj të gjithë tatim paguesve që kanë qenë, kanë patur kërkesa të miratuara. Diferenca është prej 193 milionë lekë, të cilat nuk janë ekzekutuar ende. Më së shumti, vlerën e ka vetëm një tatim pagues”, thotë Kalia.

Top Channel