Bashkimi Demokratik për Integrim konteston rezultatet e zgjedhjeve në diasporë, ku partitë shqiptare nuk arritën të fitojnë asnjërin nga tre deputetët që përfaqësojnë diasporën në Kuvendin e Maqedonisë.

Nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti tha se gjatë procesit të votimit në diasporë janë shënuar parregullsi të shumta në dëm të shqiptarëve. Sipas tij, votimi duhet të përsëritet pasi rreth 3 mijë mërgimtarëve shqiptarë i është pamundësuar votimi.

“Ne vlerësojmë se procesi për zgjedhjen e deputetëve nga diaspora nuk mund të shpallet i mbyllur pa u marrë në konsideratë vërejtjet mbi parregullsitë serioze që kanë shoqëruar atë, për çka ne kemi depozituar pranë KSHZ-së edhe ankesën përkatëse”, deklaroi Mexhiti.

“Një tjetër arsye për t’u përsëritur procesi zgjedhor në diasporë janë 450 votuesit e Pustecit, të cilëve përveç se nuk u takoi me ligj e drejta e votimit, votuan në rrethana të dyshimta në ambasadën në Tiranë, duke u furnizuar me letërnjoftime në hotelin përballët ambasadës”, nënvizoi nënkryetari i BDI.

Përveç BDI-së, në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve ankesa për proçedurën e votimit në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Maqedoni kanë depozituar edhe Partia Demokratike Shqiptare dhe partia Opsioni Qytetar për Maqedoninë. Mbi 12 ankesat e subjekteve politike, anëtarët e KSHZ-së duhet të vendosin brenda 48 orëve.

Top Channel