Meksikë, ushtria nis çarmatimin e rojtarëve

29/04/2014 00:00

Ushtria meksikane ka nisur regjistrimin e armëve të të ashtuquajturve
rojtarët, në qytetin perëndimor të Mikoaçanit. Procesi nis katër muaj
pasi grupet e vetëmbrojtjes ndërmorrën një ofensivë kundër kartelit Kalorësit Templarë.

Rojtarët do të lejohen të mbajnë armët e tyre, por do ta kenë të ndaluar të mbajnë publikisht armët automatike. Shumica e krerëve të kartelit në Mikoaçan janë vrarë ose arrestuar që nga fillimi i vitit.

Rojtarët, të njohur në gjuhën lokale si “vigilantes”, nisën sulmin ndaj Kalorësve Templarë në mënyrë të pavarur. Ata morën nën kontroll disa qytete përpara se policia federale dhe ushtria të vendoseshin në zonë, në perëndim të Qytetit të Meksikos.

Gjithashtu, rojtarëve do t’u lejohet t’u bashkohen trupave zyrtare meksikane në operacionet kundër organizatës kriminale.

Banorët e Mikoaçanit shprehen se karteli i ka terrorizuar ata. Fermerët lokalë, pronarët e dyqaneve dhe banorë të tjerë kanë qenë viktima të zhvatjeve, grabitjeve dhe pengmarrjeve.

Ky është hapi i parë që autoritetet meksikane ndërmarrin në kuadër të procesit të çarmatimit të rojtarëve tani që kërkesa e tyre fillestare, neutralizimi i krerëve të kartelit, është implementuar tërësisht.

Lideri i vetëm i Kalorësve Templarë i mbetur në liri është Servando Gomez, i cili po gjurmohet nga ushtria në një rajon përreth portit perëndimor Lazaro Kardenas, raporton korrespondenti i BBC në Qytetin e Meksikos.

Ekspertët e krimit të organizuar deklarojnë se është vetëm çështje kohe para se autoritetet ose rojtarët ta arrestojnë atë. Ditën e hënë, 5 anëtarë të kartelit mbetën të vrarë në një shkëmbim zjarri me “vigilantes” në rrethinat e lokalitetit Lazaro Kardenas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB