Maqedoni, kërkohet dorëheqja e Thaçit

29/04/2014 00:00

Kryetari i Komunës së Strugës, Zijadin Sela, i cili një muaj më parë u përjashtua nga Partia Demokratike Shqiptare, të martën kërkoi dorëheqjen e kryetarit të kësaj partie, Menduh Thaçi.

Sela tha se Thaçi, para organeve më të larta partiake, duhet të sqarojë rezultatet e dobta të PDSH-së në zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale.

“Kongresi i partisë është ai, në të cilin kryetari aktual i PDSH-së duhet të japë dorëheqjen. A duhet apo jo, e ka thënë vet sovrani: ai duhet të japë dorëheqjen”, deklaroi Zijadin Sela, kryetar i Komunës së Strugës.

Sela ka folur edhe për mundësinë e hyrjes së kësaj partie në Qeverinë e re. Ai ka thënë se një vendim i tillë duhet të merret nga strukturat më të larta partiake.

“Është Kongresi, ai që duhet të marrë vendim, për pjesëmarrjen ose jo në qeveri të PDSH-së, dhe kjo kurrsesi nuk duhet të jetë pjesë e një marrëveshjeje, që bën një kryetar partie në ikje, i cili nuk ka përkrahjen e të gjitha strukturave partiake, për vendimet që mundohet t’i marrë”, theksoi më tej Zijadin Sela.

Ndaj kërkesës së Selës për dorëheqjen e Menduh Thaçit, ka reaguar anëtari i Kryesisë qendrore të PDSH-së, Ymer Aliu, përmes një deklarate të shkurtër me shkrim, ku thuhet: “Zijadin Selës, nuk do t’ia hanë kërrmën as laraskat e sorrat më të këqija të kombit”.

Ndërkaq, vetë kreu i PDSH-së Thaçi, pas përfundimit të procesit zgjedhor të dielën, një pjesë të fajit për rezultatin e kësaj partie në zgjedhje ia ka faturuar z. Sela, të cilin e ka akuzuar për tradhti.

Kryetari i Komunës së Strugës, Zijadin Sela, ka qenë anëtar i Kryesisë qendrore të PDSH-së deri në fund të muajit të kaluar, kur u përjashtua nga ky organ për shkak të mosmarrëveshjeve me qendrën e partisë, lidhur me listat për deputetë në Njësinë zgjedhore numër 5.

Maqedoni, shqiptarët me 27 mandate

Shqiptarët do të përfaqësohen me 27 deputetë në parlamentin e Maqedonisë, dy më shumë se sa legjislaturën e kaluar.

Nga partitë shqiptare, 19 mandate shkuan për Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit, 7 për Partinë Demokratike Shqiptare të Menduh Thaçit dhe një për Rilindjen Demokratike Kombëtare, Rufi Osmani.

Partia e Gruevskit, VMRO-DPMNE është konfirmuar fituese me 61 mandate, pas saj me 34 mandate është partia e Zaev, LSDM. Por kjo e fundit njoftoi se nuk do të njohë zgjedhjet. Një vendim për hapat që do të ndjekë kjo parti në ditët në vazhdim pritet të dalë mbrëmjen e së martës.

Ndërkohë lideri i kësaj partie Zoran Zaev njoftoi se nuk do të japë dorëheqjen pasi ka vetëm 10 muaj në krye të partisë, një kohë e pamjaftueshme për të patur një vlerësim objektiv të punës së tij.

Top Channel