
Afati i vendosur nga Shtetet e Bashkuara për bisedimet e paqes mes
Izraelit dhe Palestinës ka përfunduar pa një marrëveshje të arritur.
Bisedimet rifilluan në korrik pas një ndërprerjeje 3-vjeçare, por që atëherë është bërë shumë pak progres. Raundi i fundit u ndërpre nga Izraeli javën e kaluar pasi fraksionet palestineze njoftuan arritjen e një pakti politik.
Dështimi i procesit të bisedimeve vë në dyshim implementimin e zgjidhjes me dy shtete, deklaron redaktori i BBC për Lindjen e Mesme, Jeremy Bowen.
Bisedimet mes dy palëve u tensionuan edhe më herët, për shkak të përplasjeve të vazhdueshme për ndërtimin e kolonive izraelite dhe lirimin e të burgosurve.
Negociatat ishin pezulluar nga Izraeli pasi dy fraksionet kryesore palestineze, laikja Fatah dhe islamikja Hamas, nënshkruan një marrëveshje pajtimi javën e kaluar. Marrëveshja parashikon formimin e një qeverie uniteti brenda disa javëve.
Izraeli deklaroi se do të refuzojë të negociojë me çdo palë që konsiderohet organizatë terroriste nga vetë Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, kryesisht perëndimore.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha për BBC se, zoti Abbas mund të bëjë paqe ose me Izraelin ose me Hamasin, por jo me të dyja.
Edhe Shtetet e Bashkuara shprehën zhgënjimin e tyre për marrëveshjen e Abbas, por megjithatë bënë thirrje që bisedimet të vazhdonin. Tani gjasat janë që Uashingtoni të monitorojë zhvillimet në rajon, ndërsa do të vazhdojë përpjekjet për rifillimin e negociatave.
Ndërsa palestinezët do të përpiqen të përforcojnë shtetësinë e tyre përmes organizatave ndërkombëtare, si OKB, dhe jo përmes bisedimeve dypalëshe, raporton më tej redaktori i BBC.
Top Channel