Greqi, libër me dinamit policisë

29/04/2014 00:00

Specialistët xhenierë janë thirrur urgjent mesditën e së martës në rajonin e policisë së Iteas, në prefekturën e Fokidhës në Greqinë qendrore, pasi midis zarfeve të postës së përditshme është zbuluar një zarf, në të cilin ndodhej një libër i mbushur me dinamit.

Për fat të mirë, libri nuk ka shpërthyer kur polici i turnit ka hapur zarfin në fjalë dhe menjëherë është dhënë alarmi për bombën.

Forcat xheniere, sapo kanë mbërritur, kanë dhënë urdhër për boshatisjen e rajonit dhe më pas kanë zbuluar se lënda eksplozive e përbërë prej dy kallëpesh dinamit, të lidhura me kabllo me një mekanizëm ndezës artizanal, kanë qenë të vendosura brenda një libri.

Sipas burimeve policore nuk ka pasur asnjë paralajmërim për zarfin, i cili kishte si dërgues zyrën e kryepeshkopit të Athinës.

Vlen të përmendim se, rajoni i policisë në fjalë është pikërisht ai, ku ka qëndruar për disa orë i burgosuri shqiptar Kudret Kume, i njohur në Greqi si Ilia Kareli, dhe policë të tij kanë shoqëruar atë në burgun e Nigritës, ku ai ka humbur jetën si pasojë e torturave, ndaj po hetohet edhe një pistë, sipas së cilës ky akt mund të ketë lidhje pikërisht me vdekjen e të burgosurit shqiptar.

Top Channel