
Ukraina ka humbur të paktën 80 miliardë dollarë, që kur Rusia aneksoi rajonin jugor të saj, Krimenë, dhe kostoja e këtij veprimi mund të rritet edhe më tepër, kur Kievi të përfshijë përfitimet e humbura dhe vlerën e rezervave të mundshme të energjisë në Detin e Zi.
Ministri i Drejtësisë, Pavlo Petrenko, tha se Kievi duhet të ushtrojë presion për çështjen e saj kundër Rusisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe duhet të dërgojë individë drejt gjykatave për ndërmarrjen e krimeve ushtarake dhe ato kundër integritetit të territorit të saj.
“Çdo pronë shtetërore që ndodhet në territorin e Krimesë është pronë e Ukrainës dhe Rusia mban mbi supe përgjegjësinë e plotë për humbjet e pësuara nga kompanitë shtetërore, ministritë dhe departamentet”, tha Petrenko në një konferencë për shtyp.
“Sot, vlera e këtyre humbjeve është 950 miliardë hryvnias. Këto humbje nuk përfshijnë humbjen e përfitimeve dhe vlerën e mineraleve”.
Analistët përllogarisin vlerën e rezervave të energjisë, me të paktën 165,3 miliardë metër kub gazi dhe 44 milionë ton naftë, nga 800 milionë dollarë deri në 1,2 miliardë dollarë.
Ukraina, ekonomia e dështuar e së cilës është dobësuar edhe më tej në këto muaj trazirash, kërkon dëshpërimisht të forcojë të ardhurat dhe shpreson të shmangë falimentin e vendit, duke siguruar një paketë ndihme nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Petrenko tha se Këshilli i Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare të Ukrainës ka mbështetur lëvizjet e propozuara ligjore për të sfiduar aneksimin e Krimesë nga Rusia, muajin e kaluar, që përkeqësoi gjithashtu edhe marrëdhëniet mes Lindjes dhe Perëndimit duke i çuar në nivelet më të ulta që prej Luftës së Ftohtë.
Uashingtoni vendosi një raund të tretë sanksionesh ndaj individëve rusë dhe bizneseve ruse të hënën, për shkak të ndikimit të tyre në aneksimin e Krimesë, ndërkohë që trupat ushtarake ruse janë vendosur pranë kufirit lindor të Ukrainës. Sanksione të reja pritet të vendosë edhe Bashkimi Europian, por masa të tilla nuk kanë bërë asgjë deri më tani, për të ndalur vrullin e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili argumenton se populli krimean votoi për t’iu bashkuar Rusisë në një referendum, të cilin Perëndimi e quajti të jashtëligjshëm.
Sipas Moskës, sanksionet janë kundërproduktive dhe të pavlera. Ukraina i mbështet sanksionet, por kërkon gjithashtu të nisë procedurat ligjore kundër Rusisë dhe zyrtarëve rusë, në përpjekje për të forcuar një qeveri të kritikuar, qoftë për të qenin e çorganizuar, edhe për ndërmarrjen e ngadaltë të veprimeve.
“Këshilli i Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare ka udhëzuar Prokurorin e Përgjithshëm të nisë procedurat për fillimin e një padie kriminale”, tha Petrenko. “Ukraina nuk e njeh dhe nuk do ta njohë pushtimin rus”.
Top Channel