Tiranë, 1 e vdekur, 3 të plagosur

28/04/2014 00:00

Një aksident i rëndë, me pasojë vdekjen e një shtetase dhe plagosjen e tre të tjerëve, ka ndodhur në hyrje të tunelit Tiranë-Elbasan, teksa një autoveturë tip BMW, me targa AA 482 IU, ka dalë nga rruga duke rënë rreth 30 metra poshtë.

Autovetura udhëtonte nga Elbasani në drejtim të Tiranës kur ka dalë nga rruga, në kthesën e parë pasi ka dalë nga tuneli. Për pasojë, ka gjetur vdekjen 21-vjeçarja Elsa Rakipi, ndërsa kanë mbetur të plagosur edhe tre persona të tjerë, që udhëtonin në të njëjtin mjet.

Policia e mbërritur në vendngjarje u ka dhënë ndihmën e parë të plagosurve, ndërsa 21-vjeçarja është gjetur mes gurëve, pasi automjeti e kishte nxjerrë jashtë kabinës gjatë rrokullisjeve.

Nga të dhënat paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia me të cilën mjeti ka hyrë në kthesë, duke mos i dhënë mundësi drejtuesit të reagojë në kohë.

Sakaq, edhe barriera mbrojtëse, në vendin ku doli mjeti nga rruga, ka qenë e dëmtuar dhe jo në lartësinë e duhur, pasi disa ditë më parë një tjetër autoveturë ishte përplasur, por fatmirësisht nuk kishte rënë poshtë.

Dhe, që nga ajo ditë, askush nuk u kujdes të riparonte barrierën mbrojtëse në këtë kthesë.

Top Channel