Ministria e Punëve të Jashtme ka dekretuar emërimin e tre atashehëve ushtarakë, të cilët do të dërgohen nëpër misionet diplomatike si përfaqësues të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Nënkolonel Enver Dugolli u emërua atashe ushtarak në ambasadën e Kosovës në Shqipëri, nënkolonel Bekim Osmani atashe në Turqi dhe major Sefer Shyti, atashe në Suedi.

Pas këtij dekreti, ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj dhe ai i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku, kanë folur të bindur edhe për transformimin e shpejtë të FSK-së në Forca të Armatosura.

“Nuk dua as ta mendoj që FAK të mos votohet. Unë mendoj se të gjithë deputetët, nga secili subjekt politik ose komunitet që vijnë, e kuptojnë seriozitetin e kësaj çështjeje. Ky është një projekt gjithëkombëtar, në interes të Kosovës si tërësi dhe të gjithë qytetarëve të saj. Mendoj se ata do të jenë në nivelin e përgjegjësisë si përfaqësues të komunitetit të tyre. Nuk është e drejtë ose logjike që me diçka që zgjat dy, tri apo katër vjet të kushtëzohet diçka që është e përjetshme dhe mendoj se çdo deputet mund ta kuptojë këtë”, ka thënë Çeku.

Mos votimi ose hezitimi për të votuar për krijimin e FAK-së, sipas Çekut është mesazh shumë i keq për komunitetin serb në Kosovë. Edhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj shpreson se gjithë liderët e partive politike do të bashkohen për të gjetur një zgjidhje për krijimin e FAK-ut.

“Nuk besoj se brenda për brenda spektrit politik në Kosovë mund të ketë njerëz të tillë, në gjendje ta shtyjnë këtë vendim historik në pafundësi për shkak të debatit për vendet e rezervuara. Gjatë këtyre ditëve do të ketë takime mes këtyre liderëve dhe atyre të partive më të mëdha parlamentare. Dhe unë jam më se i sigurt se, siç kemi arritur në të kaluarën që në situata të tilla ta gjejmë një konsensus të plotë, edhe këtë radhë do ta gjejmë një të tillë”, ka thënë Hoxhaj.

Gjatë qëndrimit të tij në Ministrinë e Forcës së Sigurisë, kryediplomati Hoxhaj po ashtu ka mbajtur një ligjëratë para kadetëve të FSK-së, ku ka folur për prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës të ndërlidhura me aspektet e sigurisë.

Top Channel