Balla: Prokuroria të hetojë Argita Berishën

28/04/2014 00:00

Taulant Balla, nënkryetar i grupit parlamentar socialist, në një
prononcim për Top Channel, thotë se intervista e biznesmenit Zafar
Ansar, i dha fund çdo dyshimi që mund të ketë ekzistuar më parë për atë
që tashmë njihet, si rasti përqindësh i Argita Berishës.

Të gjithë këtë histori Balla e cilëson, si një aferë të pastër korrupsioni.

“Rasti në fjalë është rast i pastër korrupsioni. Shqipëria ka humbur një investim prej 100 milionë eurosh. Investimi u humb për arsyen e vetme, se u kërkua ryshfet. 3 përqindëshi,fije e suksesit, që e quajti zyra avokatore e Argita Berishës ishte pikërisht fija e korrupsionit”, tha Balla.

Sipas Taulant Ballës, i cili e denoncoi këtë aferë korruptive, kur PS ishte në opozitë, ai mendon se Prokuroria që atëherë duhet të kishte nisur hetimet.

“Tani ka një rast shtesë, që është më i rëndësishmi. Vetë personi, pra viktima e korrupsionit biznesmeni Ansar, vjen në Shqipëri dhe deklaron publikisht dhe thotë: ‘Prokurori, unë jam këtu, për t’u vënë në dispozicionin tënd për rastin e korrupsionit‘, që është mësuar tashmë që e dimë të gjithë tashmë. Thirrja ime është shumë e qartë, Prokuroria nuk mund të vazhdojë më të jetë arkiva shtesë e shtetit, për dosjet e korrupsionit që janë tashmë në dispozicion të prokurorëve për kryerjen e hetimit. Pra, duhet domosdoshmërisht të hetohet, rasti i korrupsionit ‘Zafar Ansar-Argita Berisha’. Nëse ka fajtorë procedimi penal t’i shkojë Gjykatës për të marrë dënimin, nëse nuk ka pjesëmarrës në korrupsion, pra nuk ka vepër penale, sigurisht edhe çështja të zbardhet përfundimisht për publikun”, tha Balla.

Pavarësisht, se cili do të jetë qëndrimi i Prokurorisë për këtë çështje, Balla thotë se Zafar Ansar do të jetë prezent në muajt në vijim në gjykatat shqiptare.

“Unë i kam kërkuar zotit Ansar, që në një gjyq civil nëpërmjet meje dhe zonjës Argita Berisha, e cila ende pretendon që këto janë shpifje, pavarësisht se me zë dhe me figurë zotëria doli dhe foli, të jetë edhe pjesë e këtyre gjyqeve civile, të ngritura atëherë politikisht, të dëshmojë në favor të zbardhjes së kësaj afere korruptive”, tha Balla.

Top Channel