Kapen autorët e vrasjes në Tiranë

27/04/2014 00:00

Policia e Tiranës arriti të arrestojë vetëm dy ditë pas vrasjes së një 35-vjeçari në Tiranë, gjashtë persona të dyshuar si të përfshirë në krim, ndërsa shpalli në kërkim një tjetër.

Në bashkëpunim edhe me RENEA-n, uniformat blu ndërhynë në një banesë në vendin e quajtur Kali i Trojes në Durrës, ku fshihej autori kryesor i vrasjes Agron Goxhaj dhe bashkëpunëtorët e tij. Drejtori i Policisë së Tiranës sqaroi për mediat se vrasja kishte si motiv një borxh të pashlyer.

“Kapja dhe arrestimi i shtetasve Agron Agim Goxhaj, i dënuar më parë për vrasje të mbetur në tentativë, Artan Fredi Hasani, i dënuar më parë për krime ndaj jetës dhe prodhim e shitje lëndësh eksplozive dhe municionesh luftarake, Enton Sazan Saka, i dënuar më parë për vrasje me paramendim dhe Alket Elmaz Halitaj 43-vjeç lindur dhe banues në Tiranë. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me shtetasin Edison Fetazi i shpallur në kërkim, janë autorë të vrasjes së shtetasit Ariel Zenka. Nga hetimet e kryera dyshohet se motivi i kësaj ngjarjeje ka qenë llogari të pashlyera ndërmjet njëri-tjetrit”, deklaroi Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Ardian Cipa.

Policia ka arrestuar gjithashtu edhe Andi Veshin për akuzën e “Përkrahjes së autorit të krimit, si edhe Besnik Mancakun për moskallëzim krimi”.

Ariel Zenka u konfliktua më parë me autorët e krimit të premten e shkuar në një lokal në hyrje të lagjes Ali Demi në Tiranë. Më pas ai u ndoq nga disa persona dhe u ekzekutua pak metra më tej me dy plumba pistolete.

Top Channel