G7 intensifikon sanksionet ndaj Rusisë

26/04/2014 00:00

Grupimi G7, ku bëjnë pjesë 7 fuqitë ekonomike të botës, ka rënë dakord për të intensifikuar sanksionet ndaj Rusisë për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

Në një deklaratë për shtyp të shpërndarë nga G7-a nuk jepeshin detaje mbi llojin e sanksioneve, por një zyrtar i Shteteve të Bashkuara deklaroi se ato mund të njoftohen të hënën.

Perëndimi e akuzon Rusinë se drejton njësitë separatiste në lindje të Ukrainës, pak muaj pasi aneksoi gadishullin e Krimesë, akuzë të cilën Moska e mohon.

Nërkohë, më herët Shtetet e Bashkuara deklaruan
se avionët ushtarakë të Rusisë kanë kaluar disa herë brenda 24 orëve në
hapësirat ajrore të Ukrainës.

Lajmi u bë i ditur nga një zëdhënës i Pentagonit, i cili tha për BBC se incidenti ka ndodhur kryesisht pranë kufirit me Rusinë, por nuk dha hollësi të mëtejshme.

Më parë, separatistët pro-rusë sekuestruan një autobus me përfaqësues ndërkombëtarë, që thuhet se i përkisnin Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, kanë nisur negociatat për lirimin e monitoruesve, ndalimi i të cilëve u bë në afërsi të qytetit të Sloviansk-ut.

Separatistët akuzojnë se vëzhguesit e OSBE-së në të vërtetë janë spiunë të NATO-s dhe për lirimin e tyre kërkojnë lirimin e shokëve të tyre të burgosur.

Deklarata u bë nga një prej liderëve separatistë të Donetskut, Denis Pushilin, përpara selisë së shërbimeve sekrete në qytetin e Slovianskut.

“Dje arrestuam disa spiunë të NATO-s. Këta njerëz nuk do të lirohen, ata do të shkëmbehen me të burgosurit tanë”, deklaroi shefi i separatistëve.

Çdo ditë e më shumë gjuha e diplomacisë po zëvendësohet nga konfrontimet
e akuzat reciproke, teksa Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po bëjnë
manovrat e tyre, në mesin e krizës, mbi ardhmërinë e Ukrainës.

Për situatën delikate ndërhyri një ditë më parë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, që në një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin shprehu shqetësimin e saj të thellë për situatën.

Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i saj, Steffen Seibert, sipas të cilit gjatë bisedës kancelarja theksoi se pret që Moska të zbatojë marrëveshjen e Gjenevës.

Nga ana e tij, lideri i Kremlinit u përgjigj duke dënuar ashpër tentativat, sipas tij, të regjimit të Kievit për të përdorur forcat e armatosura kundër qytetarëve paqësorë në jug-lindje të Ukrainës. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA