Katerina ishte banorja që këtë të premte la shtëpinë e “Big Brother”, duke hequr dorë përfundimisht nga çmimi i madh.

Pas mbërritjes në studio, Katerina thotë se ndoshta atë e penalizoi drejtësia që ka treguar dhe ashpërsia në diskutimet e saj.Megjithatë ajo u shfaq e bindur në lojën që kishte bërë brenda shtëpisë dhe u shpreh se do të vepronte në të njëjtën mënyrë edhe sikur të hynte sërish në shtëpinë më të famshme të shqiptarëve për momentin.

Mbrëmja e të premtes ka qenë plot surpriza. Fillimisht Meridianit i është rezervuar një dhuratë e bukur, një telefonatë nga mbesa e tij.

Më pas një hapësirë e veçantë i është kushtuar Valerit, djalit çapkën nga Malësia e Madhe, i cili është diskutuar shumë për sjelljet e tij brenda shtëpisë. Valeri pa një video ku ishin intervistuar bashkëfshatarë të tij, disa prej të cilëve e përkrahnin e disa të tjerë i tërhiqnin vërejtje për reagimet e tij në shtëpi.

Duke qenë malësorë, disa prej tyre ishin të mendimit që veshja e një fustani, qoftë edhe për lojë, apo lyerja e shpeshtë e flokëve ‘nuk i ka hije traditës së një malësori shqiptar’. Megjithatë Valeri u shpreh se sjelljet e tij pa komplekse brenda shtëpisë do të vazhdonin, sepse ai është një njeri i lirë dhe se njerëzit që e njohin vërtet e dinë se gjithçka është në kuadër të një loje. Më pas në një prej hapësirave të shtëpisë erdhi babai i Valerit, i cili u shpreh se përkrah në çdo moment të birin.

Më pas ishte rradha e Matildës. Disa foto të Fatjonit, bashkëshortit të saj, i cili doli nga shtëpia e Big Brother një javë më parë, duke dëfryer me ish-banorë të shtëpisë, e vunë disi në siklet Matildën. Megjithatë Fatjoni e siguroi se ai e ndjek gruan e tij në çdo moment nga televizori dhe se e gjithë vëmendja e tij është përqendruar tek ajo.

Prova e javës, me lojën e pllakave të drurit, që duhet të rrëzoheshin në formë dominoje, rezultoi e pasuksesshme, ndaj për këtë javë banorët kanë vetëm 25 për qind të buxhetit. Por ata iu nënshtruan një prove tjetër duke kërcyer në çifte me nga një fije spageti në goje, provë e cila rezultoi e suksesshme dhe prej të cilës përfituan një bonus.

Për Julianën, erdhi një dhuratë tjetër, bluza e Sisit, qenushes së saj, për të cilën Juljana tha se e ka marrë shumë malli.

Ndërkohë, të nominuarit e kësaj jave janë Matilda, Arditi, Enkelejdi dhe Meridiani.

Spektakli i të premtes u mbyll në mënyrë shumë të veçantë. Aktori i Portokallisë, Florian Binaj, i veshur si një faraon u komunikoi detyrën e javës: Të ndërtojnë një piramidë. Mes batutave, humorit, entuziasmit por edhe emocioneve u mbyll edhe spektakli i kësaj jave, duke i hapur rrugë një jave të vështirë, plot sfida për banorët e mbetur në shtëpi. Cili banor do të lerë shtëpinë të premten e ardhshme? Ndiqni aventurën përmes ekranit…

Top Channel