“Shkrimtarët e shekullit” në Kosovë

25/04/2014 00:00

Pas studentëve të ekselencës në Tiranë, gazetarja Rudina Xhunga ka prezantuar librin e saj “Shkrimtarët e shekullit” në Kosovë, duke u takuar me studentët e disa universiteteve, në Prishtinë e Mitrovicë, duke iu përgjigjur interesimit të tyre për të gjithë tematikat, edhe ato jashtë këtij botimi.

Kosova ishte ndalesa e radhës për “Shkrimtarët e shekullit”. Tre katedra Letërsie dhe Gazetarie, qindra të rinj dhe dhjetra pyetje, opinione, autografe për intervistat e gazetares së Top Channel, Rudina Xhunga, me disa prej emrave më ndikues të shekullit të 20, si Salman Rushdie, Orhan Pamuk, Roberto Saviano, Doris Lessing, Amos Oz, etj.

Në Universitetin Amerikan të Kosovës, ku studiojnë studentë shqiptarë dhe të huaj, ka shumë kuriozitet edhe mbi librin e Xhungës mbi Arbën Xhaferin dhe tezat e tij. Në katedrën e Gazetarisë, të Universitetit të Prishtinës, studentë dhe pedagogë ndajnë nevojën për të komunikuar përmes letërsisë dhe medias, përtej muzikës dhe debateve tallava.

Në Universitetin AAB, poeti dhe studiuesi i njohur kosovar, Agim Vinca, ndan me Xhungën dëshirën për të pasur një vëllim të dytë dhe aty të mos mungojë intervista me krijuesin nobelist Mario Vargas Llosa.

Ndërsa në Mitrovicë, në sallën e Pallatit të Kulturës “Rexhep Mitrovica”, që sheh për nga ura e Ibrit, pyetjet e mësuesve të letërsisë, studentëve, mjekëve që kanë ardhur në promovimin e organizuar nga TV Mitrovica, kanë të bëjnë sa me letërsinë dhe me punën në Top Channel, e me nevojën që ka Mitrovica të jetë më tepër në vëmendje të Shqipërisë.

“Kujtoj momentin kur isha në urën e Artës, në Çamëri. E kam xhiruar atë urë dhe mbi atë kam marr në telefon Kristo Frashërin, një historian i njohur. I thashë ‘jam në urën e Artës, profesor’. Ndërsa ai m’u përgjigj ‘aty është fundi ynë, ka qenë dikur e jona. Mos e humbshim urën e Ibrit, siç humbëm urën e Artës”, u shpreh Xhunga.

Top Channel