Qeveria e re e Serbisë pritet të formohet të dielën në mbrëmje, sipas
njoftimit të Aleksandar Vuçiç, i mandatuar për krijimin e saj. Gazeta
serbe “Blic” ka publikuar emrat e ministrave serbë, të cilët sipas tij
do t’i komunikojë Vuçiç në Novi Sad.

Në kabinetin qeveritar do të ketë edhe emra që nuk janë pjesë e subjekteve politike, ndërkohë që bie në sy caktimi i Ivica Daçiç si ministër i Jashtëm i Serbisë.

Këtë post, raporton e përditshmja serbe, Daçiç e ka siguruar për punën e mirë që ka bërë në negociatat e ndërmjetësuara nga Brukseli me Kosovën.

Ndërkohë, ministritë më të rëndësishme, ajo e Brendshme, e Drejtësisë dhe e Mbrojtjes do të kontrollohen nga elementë të partisë së Vuçiç, SNS.

Kështu, në drejtimin e tyre do të jenë: Nebojsha Stefanoviç, ish-kryetar i Kuvendit serb; Nikola Selakoviç, ministër i Drejtësisë i qeverisë në ikje; dhe Nebojsha Rodiç, edhe ky drejtues i Ministrisë së Mbrojtjes i qeverisë në largim.

Ndërkohë, socialistët e Daçiç, Rasim Lajiç, Zhivanko Radovançev dhe Aleksandar Antiç do të drejtojnë përkatësisht Ministrinë e Tregtisë, Telekomunikacionit dhe Turizmit; Ministrinë e Bujqësisë dhe Ambjentit; si dhe Ministrinë e Ndërtimit dhe Infrastrukturës.

Ministria e Rinisë dhe Sportit, si dhe ajo e Shëndetësisë do të menaxhohen sërish nga eksponentët e partisë së kryeministrit Vuçiç, Vanja Udoviçiç dhe Zblatibor Lonçar.

Ndërsa Ministria e Financave, ajo e Ekonomisë, e Arsimit dhe Shkencës, e Kulturës dhe e Administratës Shtetërore do të menaxhohen nga elementë të jashtëm. Në krye të tyre do të jenë përkatësisht: Lazar Këstiç, Dushan Vujoviç, Sërgjan Vërbiç, Ivan Tasovaç dhe Kori Udovçki.

Gazeta “Blic” nuk shkruan se ç’pozitë mund të mbajë Aleksandar Vulin, ministër i ngarkuar për Kosovën, ndërsa supozon se ministër pa portofol mund të emërohet lideri i Nova Srbija, Velimir Iliç.

Top Channel