
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha duke iu referuar nisjes së komisionit hetimor parlamentar për trafikun e drogës, u shpreh se dyshja Rama-Meta këtë skandal e konsideroi si lojë me mushkonja.
Ashtu si në foltoren e parlamentit, kur ish-kryeministri Berisha tërthorazi komunikoi qëndrimin e ri të demokratëve karshi komisionit hetimor për akuzat e trafikut të drogës duke përdorur strukturat e Forcave të Armatosura, edhe Basha bëri thirrje për nisjen e punës së komisionit, punë që sipas tij më pas duhet të vazhdojë në instancat e tjera hetimore.
“Shqiptarët, i madh dhe i vogël nuk mund të bashkëjetojnë me krimin e organizuar, që jo vetëm nuk po goditet, jo vetëm që nuk po i djeg toka nën këmbë ngado që shkon, por sipas informacioneve tona të pakundërshtueshme ka arritur të përdorë asetet e Forcave të Armatosura dhe asetet publike për punët e veta të ndyra kriminale. Nëse nuk do ta denonconim menjëherë këtë turp, nëse nuk cojmë para drejtësisë të gjithë ata që janë pjesë dhe kanë lejuar me dashje të lulëzojë, shteti ka marrë fund. Të sensibilizohen qytetarët për njër reagim të fuqishëm mbarëpopullor që shumica Rama-Meta do të vazhdonte apo do të vazhdojë ta marrë si qesharake, do të vazhdonte apo do të vazhdojë të merret me gjurmët në vend që të merret me ujkun”, tha Basha.
Më tej kreu i demokratëve u ndal tek vendimi i mazhorancës për heqjen e kompetencës së Presidentit të Republikës për propozimin e kreut të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe kalimit të kësaj kompetence në duart e Kuvendit, duke e cilësuar atë si një përpjekje nga ana e mazhorancës për të goditur kundërshtarët.
“Me aktin e djeshëm dyshja Rama-Meta ka pranuar rolin e ILDKP-së në luftën kundër korrupsionit dhe e ka shndërruar atë në një vegël të goditjes së kundërshtarëve”, tha ai.
Një tjetër përplasje e madhe mes mazhorancës dhe opozitës është edhe reforma administrativo-territoriale. Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për refuzimin e konsensusit. Të enjten mazhoranca ndryshoi formatin e komisionit të ngritur për këtë reformë, pas refuzimit të opozitës për t’iu bashkuar propozimit të mëhershë. Por për demokratët:
“Në javën e revanshit me goditje të përqendruar kundër Kushtetutës dhe konsensusit dyshja Rama-Meta vendosi t’i injoronte thirrjet tona të përsëritura për të punuar me konsensus për reformën administrativo-territoriale dhe proceduan me komisionin e tyre të njëanëshëm. Ata po nisen pa ne dhe pa konsensus në komisionin e njëanëshëm. Edhe ne po nisemi pa ta drejtë qytetarëve dhe së bashku me qytetarët drejt përballjes me oligarkinë”, deklaroi Basha.
Top Channel