Gjykata Speciale që do të trajtojë krimet e supozuara të luftës që dalin
nga raporti i senatorit Dick Marty do të përbëhet nga 15 gjyqtarë dhe
prokurorë ndërkombëtarë, pa asnjë vendor.

Kështu shkruan në numrin e së premtes e përditshmja kosovare “Zëri”, sipas të cilës mandati i gjykatës synohet të jetë pesëvjeçar dhe ajo do të financohet nga Bashkimi Evropian.

“Gjykata Speciale pritet që të fillojë proceset e saj pas 2 ose 3 muajsh. Një zyrë ajo do ta ketë në Prishtinë dhe tjetrën në ndonjë qytet evropian. Ndërsa të dënuarit e mundshëm nga kjo gjykatë do ta vuajnë dënimin jashtë vendit”, shkruan “Zëri”.

Deputeti Haki Demolli thotë për të përditshme se, vuajtja e dënimeve jashtë vendit parashikohet në dokumentin që aprovoi vetë Kuvendi i Kosovës për themelimin e gjykatës.

“Në dokument parashikohet që ekzekutimi i dënimeve për personat që do të ndëshkohen nga kjo gjykatë të bëhet jashtë Kosovës, ndërsa mandati i saj të mos jetë i lidhur me afate kohore”, ka saktësuar Demolli.

“Pra, nuk ka ndonjë afat të përcaktuar. Gjykata do të funksionojë derisa të vlerësohet se nuk ka më vend për hetime ndaj autorëve të veprave penale të supozuara. Ndërsa gjyqtarët parashikohet të jenë ndërkombëtarë, bashkë me prokurorët”, ka shtuar deputeti.

Zoti Demolli ka thënë se nuk është në dijeni se cila do të jetë kostoja e nevojshme për krijimin e kësaj gjykate, por sipas tij së fundmi është përmendur shifra prej 170 milionë eurosh.

Top Channel