Të gjithë janë gati për zgjedhjet

24/04/2014 00:00

Deputetët kosovarë pritet të votojnë shumë shpejt për përfundimin e mandatit të tyre. Shumica e partive parlamentare kanë nisur përgatitjet dhe janë të gatshme për shpërndarjen e Parlamentit, në mënyrë që zgjedhjet e reja të mbahen në pjesën e parë të muajit qershor.

Nëse gjithçka shkon sipas paralajmërimeve të subjekteve politike, Parlamenti mund të shpërndahet në javën e ardhshme, ndërsa zgjedhjet e reja do të mund të organizoheshin në gjysmën e parë të qershorit. Për të miratuar kalendarin zgjedhor, pritet që liderët e partive të takohen gjatë javës me ambasadorët e vendeve të Quin-it për të arritur konsensus. Partia Demokratike e Kosovës, tashmë po pret vetëm konsultat me subjektet tjera politike gjatë ditëve në vijim për të vendosur bashkarisht për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

“Ne jemi të gatshëm për zgjedhjet, kurdo që ato të mbahen dhe nëse gjithcka shkon ashtu sic duhet atëherë mendojmë që të mbetet opsioni i qershorit, nëse jo jemi të gatshëm për të dëgjuar të gjitha partitë për të gjetur një konsensus sa i takon datës së mbajtjes së zgjedhjeve”, deklaroi zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci.

Edhe partitë opozitare i kanë bërë përgatitjet dhe presin që Parlamenti të shpërndahet qysh javën e ardhshme. Deputeti i LDK-së, Sadri Ferati i ka thënë Top Channel përmes një përgjigje elektronike se Isa Mustafa është pajtuar me krerët e partive tjera që menjëherë pas miratimit të Gjykatës Speciale dhe vazhdimit të mandatit të EULEX-it, të ndodhë shpërndarja e Parlamentit.

Ferati ka thënë se LDK pret që javën e ardhshme Kuvendi ta mbajë një seancë me ndonjë pikë të rendit të ditës të nevojshme dhe në fund të asaj seance të votohet për shpërndarjen. Edhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian  Gjini ka thënë se po punohet që zgjedhjet të mbahen në pjesën e parë të muajit qershor.

Gjini ka thënë se AAK është përgatitur për zgjedhje të parakohshme dhe do ta votojë shpërndarjen e Parlamentit. Partitë politike shqiptare po përpiqen që para shpërndarjes së Kuvendit të votohet edhe për ndryshimet kushtetuese për krijimin e Forcave të Armatosura, por që për këtë çështje nevojiten edhe dy të tretat e deputetëve të minoriteteve. Njëri nga liderët serbë, Nenad Rashiq ka thënë për Top Channel se nuk votojnë pro krijimit të FAK-ut para se deputetët shqiptarë të mos  votojnë vendet e rezervuara për deputetët e pakicave.

“Absolutisht së pari duhet të jenë vendet e rezervuara. Nëse nevojitet që të krijohet një debat, të diskutohet dhe pas aprovimit eventual të vendeve të rezervuara ne do të kemi në konsideratë kërkesën për të votuar FAK-un dhe do të ulemi së bashku edhe njëherë, do të analizojmë kërkesën për Forcat e Armatosura të Kosovës”, deklaron Nenad Rashiç, Ministër i Punës dhe i Mirëqënies Sociale.
 
Ecuria teknike deri tek shpërndarja e Kuvendit pritet të vendoset në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë e cila mbahet të hënën.

Top Channel