Ekspertët e ndryshëm kanë filluar zbulimin e varrezës masive në Rudnicë afër qytetit të Rashkës, në të cilën dyshohet se gjenden mbetjet mortore të deri 400 viktimave shqiptarë.

Lokacioni ku ndodhet varreza është kërkuar disa herë, por vetëm pas disa vitesh është konfirmuar se në këtë pjesë ndodhen mbetjet mortore të shqiptarëve. Prokuroria dhe komisionet e Kosovës dhe Serbisë kanë informacione se prej nga janë kufomat, por ende nuk janë bërë të ditura detajet.

Në fillimin e gërmimeve kanë marrë pjesë edhe vëzhguesit nga Kosova. Ata thanë se janë të kënaqur me procesin e deritanishëm.

Arsim Gërxhaliu, Departamenti i Mjekësisë Ligjore, Kosovë: Janë instaluar tendat dhe kabinat fushore të punës, ashtu sic kemi planifikuar, që pikë së pari të mos shkojnë në Beograd dhe të mos enden kot për shkak të largësisë gjeografike dhe nga këto do të dërgohen mostrat për analiza në Komitetin Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur, prej këtu pastaj do të bëjmë tërheqjen e trupave në Kosovë.

Prenk Gjetaj, Komisioni për të Pagjeturit, Kosovë: Normalisht shpresojmë se do të vazhdojë ky bashkëpunim mes palës serbe dhe palës tonë për verifikimin edhe të vendeve të tjera të dyshuara. Aktualisht është kjo vendndodhje që ka nisur, më pas të shohim nëse mund të nisim kërkimet edhe në zona të tjera.

Veljko Odallovic, nga qeveria e Serbisë ka premtuar korrektësi gjatë procesit.

“Këtu kemi ekspertë nga Prishtina, Beogradi, EULEX dhe vende të tjera perëndimore. Pra këtu janë duke punuar njerëzit kryesorë që janë të kualifikuar për këtë punë”, thotë Veljko Odallovic, Sekretar i Qeverisë së Serbisë.

Pas përfundimit të gërmimeve mostrat e mbetjeve do të dërgohen në verifikim dhe pas analizave të ADN-së, ato do t’i dorëzohen EULEX-it dhe familjarëve. Nëse konfirmohen informacionet paraprake për të paktën 400 të varrosur në këtë varrezë masive, atëherë kjo do të ishte varreza më e madhe masive e pasluftës së Kosovës.

Top Channel