Athina dorëzon zemrën e Karelit

23/04/2014 00:00

Përfaqësues të shtetit shqiptar kanë marrë në dorëzim zemrën dhe disa inde lëkure të të dënuarit shqiptar që vdiq nga torturat në burgun grek, Kudret Kume.

Tre ekspertët, oficeri i kontaktit të policisë shqiptare në Athinë, Andi Likaj, eksperti i mjekësisë ligjore dhe prokurorisë shqiptare mbërritën në Institutin e mjekësisë ligjore të Athinës, ku dhe kryhen proçedurat për tërheqjen e organit të viktimës.

Ekspertët ekzaminuan organet dhe morën një kopje të aktit të autopsisë kryer mbi trupin e viktimes Kudret Kume, ose siç njihej në Greqi, Ilia Kareli.

Ekspertët e prokurorisë shqiptare diskutuan me mjekun ligjor për shkaqet e vdekjes së Kumes, por detaje të bisedës nuk bëhen publike për shkak të fshehtësisë së hetimeve.

Burime pranë Insitutit të mjekësisë ligjore sqaruan se ende nuk dihet nëse ndarja e zemrës prej trupit ishte e qëllimshme, apo një gabim tragjik.

Të njëjtat burime thanë se është e nevojshme që zemrës së viktimës t’i bëhet testi i ADN-së për të shmangur mundësinë që zemra që u mor në dorëzim nga ekspertët shqiptarë të mos jetë e Kudret Kumes, por e një tjetër personi. Nëse kjo do të konfirmohej, atëherë rasti “Kume” do të përbënte një preçedent të paparë për vënien e drejtësisë në vend.

Kjo, pasi ekspertiza e kryer mbi zemrën që mund të mos jetë e Kumes, por e një pacienti me probleme kardiake, do t’i shfajësonte gardianët prej akuzës së vrasjes së shkallës së parë, duke u lënë atyre akuzën për rrahje me pasojë vdekjen, vepër penale që klasifikohet si shumë më e lehtë se vrasja me paramendim.

Ngatërresa makabre ndodhin shpesh në morgun e Athinës dhe të spitaleve të tjera të Greqisë. Rasti i fundit që ka marrë edhe përmasa ndërkombëtare ishte ai i pak muaj më parë, kur familjes së një diplomati amerikan që u vetëvra në Athinë iu dërgua në SHBA trupi pa zemrën dhe një muaj më vonë i dërguan zemrën e një personi tjetër. Ambasada amerikane reagoi ashpër dhe një mjek ligjor i Athinës është nën proces penal.

Top Channel