Një fabrikë e ujit në komunën e Gjilanit ishte ndalesa e radhës e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të parafushatës zgjedhore.

Në takimin me drejtuesit e fabrikës, kryeministri Thaçi përsëriti ndihmën që qeveria e tij do t’i bëjë komunitetit të biznesit nëpërmjet fondit prej 1.5 miliardë eurosh. Ai theksoi se është e rëndësishme që përiftuesit nga fondi, përveç zgjerimit të biznesit të krijojnë vende të reja pune.

“Unë jam optimist dhe kam shpresë e besim se biznesi kosovar do të zgjerohet edhe më tej dhe ftoj të gjitha ndërmarrjet e vogla, të mesme e të mëdha që të aplikojnë në fondin e punësimit, të jenë fituese dhe si rrjedhojë të zgjerojnë biznesin dhe numrin e vendeve të punës. Natyrisht, edhe një pagesë më të mirë për punëtorët”, deklaroi Thaçi.

Sipas drejtuesve të këtij biznesi, ndihma e qeverisë nëpërmjet fondit prej 1.5 miliardë eurosh është e rëndësishme sepse ndikon në rritjen e eksportit, ndihmon prodhuesit kosovarë të jenë konkurrentë me ata të rajonit dhe rrjedhimisht e bën Kosovën një vend me ekonomi më të zhvilluar.

Të dhënat e prezantuara për këtë fabrikë të ujit, që ndodhet në fshatin Gumnishtë e Epërme të Gjilanit, e bëjne atë një nga bizneset më të sukseshme me gjithësej 160 vende të reja pune.

Top Channel