Legalizimi i ndërtimeve pa leje

21/04/2014 00:00

Pas shembjeve demonstrative nga INUK të objekteve në zonat turistike, por jo vetëm, deputetë të maxhorancës dhe opozitës shprehën shqetësimin e tyre lidhur me prishjen e ndërtimeve të cilat janë në proces legalizimi.

Por ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni tha se në asnjë rast nuk ka patur veprim të inspektorëve të INUK pa koordinim me ALUIZNIN.

“Prishja e ndërtimeve nuk është bërë në mënyrë selektive, jemi koordinuar me ALUIZNI-n. Nuk janë shembur ndërtime në proces legalizimi”, deklaroi Gjermeni.

“VKM-të rrisin diskrecionin e qeverisë për të vepruar dhe pastaj vijmë tek rastet konkrete të shembjeve të paligjshme, siç thanë kolegët, prandaj duhet që gjërat të saktësëohen në ligj”, replikoi deputeti i PD, Genc Ruli.

Një nga pikat e shumëdebatuara të projektligjit për legalizimin e ndërtimeve informale ishte ajo e ndarjes së të ardhurave të arkëtuara nga kalimi i pronësisë së objekteve, që në masën 70 për qind do të shkojë për ish-pronarët, ndërsa 30 për qind do t’i mbetet ALUIZNI-t për kryerjen e proçedurave të legalizimit.

“Aluizni ka shpenzime për matjet, proçedurat, etj”, sqaroi Iglon Peçi, drejtor juridik në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit.

“Keni premtuari t’i bëni falas, por 30 për qind shkojnë për matjet që janë edhe ato shpenzime. Mos po preket fondi i ish-pronarëve”, shtroi sërish një pyetje deputeti Ruli.

Duke iu referuar ndërtimeve pa leje në të ardhmen, ministrja Gjermeni tha se në asnjë rast nuk do të lejohen e as legalizohen objekte të paligjshme, duke përmendur dhe Kodin Penal të hyrë në fuqi në janar të vitit 2009, që cilëson ndërtimin pa leje vepër penale.

Top Channel