
" /> ">
Presidentja e Koresë së Jugut, Park Geun-hye, i krahasoi të hënën veprimet e kapitenit dhe disa pjesëtarëve të ekuipazhit të tragetit të mbytur “Sewol” me vrasjet, teksa policia bëri të ditur se ka arrestuar edhe 4 persona të tjerë, ndërsa polumbarët vazhdojnë të kërkojnë në tragetin e fundosur tashmë.
Kapiteni i tragetit koreano-jugor, Lee Joon-seok, përballet me një seri akuzash kriminale, për rolin e tij në mbytjen e javës së kaluar, në të cilën të paktën 87 persona kanë mbetur viktima dhe 215 ende nuk janë gjetur. Shumica e tyre janë studentë dhe mësues, të cilët po zhvillonin një udhëtim, të një shkolle të mesme pranë Seulit.
“Veprimet e kapitenit dhe disa anëtarëve të ekuipazhit janë absolutisht të papranueshme, të pafalshme, apo që mund të krahasohen edhe me vrasjen”, tha Park, të hënën, në komentet e publikuara prej zyrës së saj. Ajo tha se si presidente bashkohet me koreano-jugorët, të cilët janë të mbushur me “mllëf dhe horror”.
Arrestimet e fundit nga ekuipazhi e çojnë numrin total të të ndaluarve në 7, teksa autoritetet po hetojnë se çfarë shkoi keq me tragetin, i cili ishte nisur drejt një ishulli tepër popullor për pushime.
Fjalët e ashpra të Park vijnë në një moment kur detaje të tjera kanë dalë në skenë gjatë fundjavës, rreth kaosit dhe konfuzionit mbi tragetin e mbytur në ujrat e ftohta të Detit të Verdhë, në brigjet jug-perëndimore të Koresë së Jugut.
Top Channel